E Shtunë, 31 Tetor 2026

Na mori malli Njeri

(Pak prozë poetike dhe pak humor të zi)
Nga Flamur BËRDËLLIMA
Jam shokuar nga disa lajme të ditëve të fundit për grabitje banke në mes të ditës, tipike për filmat Ëester, për tritolin që i vunë avokatit Artan Zeneli dhe sidomos për vrasjet e ndodhura parmbrëmë në Shkozet të Durrësit. Me çmë thanë, dy prej të vrarëve kishin marrë dhe kartën e identitetit. Po tani kush do të votojë karta apo njeriu? Nuk dua të përsëris faktin se tani ka më pak që ikin në drejtim të paditur. Përse sa herë vijnë zgjedhjet në Shqipëri, shtohen jo pak po shumë këta që ikin në drejtim të ditur?! Përse more i dashur njëri shtohen tek ty prirjet për veprime arbitrare, për sherr, për egërsi, por edhe për entuziazëm politik. Hiqeni nga mendja që këto janë tipare të një njëriu të qytetëruar, anëtar i NATO-s. Hiqeni nga mendja se këto janë tipike për njeriun që pret të futet në BE. Po jo për atë zot në fund të 2009, siç tallen disa media. Të marrësh dosjen për shqyrtim për anëtarësim është një gjë, dhe të marrë vendim komisioni europian është kryekëput një tjetër gjë. Nejse. Ajo që dua të them, është se janë shtuar shumë të njëjtët e mi, të cilët kanë pushuar së qeni vetvetja dhe janë bërë automat pa vullnet personal. Subjekte të tilla më kujtojnë gjendjen e të hipnotizuarit. Në rastin shqiptar nga politika.
Unë nuk e di se sa persona mund të sugjestionojë lutja e Berishës përpara monumentit të Budës në Kinë dje, për zgjedhje të lira por kur kam qenë unë atje me disa shokë të mi biznesmenë askund nuk kemi dëgjuar se Buda merret edhe me zgjedhjet politike. Nganjëherë rri e pyes: Mos e kemi nga dhimbja e pranverës? Ç është ky infeksion për të folur papërgjegjshmërisht në Media, duke thënë: Shiko se Presidentin e zgjodhëm ne, dhe ai duhet të bëj si i themi ne. Kështu sillet njeriu i turmës, jo individi që ka një personalitet, që prodhon art, kulturë, rregull, por mbi të gjitha personalitet individual. Këtë lloj infeksioni, unë e fus tek grupi i dukurive hipokrite që shoqërojnë demek njerëzit me ideale partie. Por kurrsesi kjo nuk është lartësim i shoqërisë që  po bëhet nga këta individë. Çfarë personaliteti mund të ketë një militant i PS-së kur më thotë me dhimbje të sinqertë: E shikon këtë mjekrën time? E kam lënë kur u fut Fatos Nano në burg. Edhe pse Fatosi luan çdo natë bixhoz aty tek Tajvani, vetëdija e këtij personi është zhdukur fare. Vullneti, arsyeja dhe të gjitha ndjenjat dhe mendimet drejtohen nga hipnotizuesi.
Dhe sa e sa raste të tjera mund të sjell. Po ta kemi nga dhimbja pranverore, hajde de, po unë them se është më e thellë, prandaj i dashur vëllai im Njeri, ktheje pak vëmendjen nga vetja, sepse na mori malli të shohim si individualitet dhe jo si pjesë e turmës.  

Last Updated on Tuesday, 21 April 2009 11:08

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›