E Diel, 1 Nëntor 2026

“Bollano”, Berisha: Vendimet politike nuk i shërbejnë ligjit



Kryeministri Sali Berisha e cilëson si politik vendimin e Gjykatës së Vlorës për dënimin me 6 muaj burg të kryebashkiakut të Himarës, Vasil Bollano. Z. Berisha reagoi mbrëmë pas vendimit të Gjykatës së Vlorës për kreun e Bashkisë së Himarës, Bollano, duke pohuar se vendimet politike nuk i shërbejnë ligjit. Sipas tij, interpretime dhe zbatime të ligjeve, të cilat mund të mbartin nuanca politike dhe arkaike, nuk i shërbejnë qëllimit të vendosjes së ligjit. Në një deklaratë për shtyp të qeverisë, bëhet e ditur se “Kryeministri Berisha, duke mbetur gjithmonë shumë i ndjeshëm ndaj respektimit dhe garantimit të të drejtave dhe lirive të çdo qytetari, si dhe për respektimin e plotë të pavarësisë së sistemit gjyqësor, mendon se interpretime dhe zbatime të ligjeve, të cilat mund të mbartin nuanca politike dhe arkaike, nuk i shërbejnë qëllimit të vendosjes së ligjit”. Gjykata e Vlorës shpalli paraditen e djeshme fajtor kryebashkiakun e Himarës pas akuzimit që i bëri prokuroria, se Bollano hoqi tabelat shqip në rrugën Qeparo-Llogora. Bollano u dënua me 6 muaj burg, 5 milionë lekë të vjetra gjobë, si dhe i hiqet për 3 vjet e drejta e funksioneve publike. Gjatë seancës përfundimtare, kryebashkiaku Bollano nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit. Dënimi i Vasil Bollanos vjen vetëm 5 ditë para se në Shqipëri të zhvillojë një vizitë zyrtare Kryeministri grek, Karamanlis. Kreu i qeverisë së vendit fqinj është ftuar nga homologu shqiptar, Sali Berisha.

V. M.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›