E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ia mësyjnë plazhit

Këngëtarët e muzikës popullore mësohet se do ta kenë prapë fjalën kryesore në bregdetin shqiptar sivjet. Meda dhe disa të tjerë janë të kontraktuar tashmë me disa klube në Ulqin dhe Durrës, por edhe Labi, Xeni, Sinani etj., nuk mbeten pas. Nga Mehdi Abdullahu më 05 korrik 2011 në ora 12:05

Vera për këngëtarët është e mirë edhe për diçka tjetër. E tillë sepse i sjell jo pak të ardhura estradës kosovare. Tashmë shumica prej këngëtarëve kanë bërë kontrata me diskoteka dhe klube e kafe nëpër Ulqin, Durrës, Velipojë dhe vende të tjera bregdetare shqiptare, ku edhe do ta kallin me këngën e tyre, qoftë popullore e ndonjë ritëm tallava pas rakisë.

Tashmë mësohet se këngëtari Mehedin Përgjegjaj – Meda është i rezervuar për të kënduar në Ulqin, por edhe në Durrës, kurse këngëtari Shkëlzen Jetishi – Xeni, i cili është kontaktuar të hënën nga Express, ka thënë se ende nuk ka ndonjë kontratë për të kënduar diku.

“Nuk kam ndonjë marrëveshje për të kënduar në bregdet, përpos që kam ndonjë ftesë për të kënduar nëpër dasma”, ka thënë Xeni.

Ai nuk ka folur shumë për ndonjë ftesë të mundshme, edhe pse Xeni gjatë verës ka kërkesa shumë të mëdha, sidomos në Dukagjin, për të kënduar nëpër dasma të ndryshme.
Kurse për pushime thotë se e ka zgjedhur Sarandën.

Një këngëtar tjetër që viteve të fundit ka qenë shumë aktiv nëpër mbrëmje të ndryshme, Labinot Tahiri – Labi ka thënë se është mjaft i angazhuar për të kënduar gjatë verës. “Lokalet nuk janë të caktuara , ngase varet nga marrëveshjet eventuale që bëhen me pronarët e klubeve të ndryshme”, ka thënë Labi kur është pyetur se ku do të këndojë gjatë kësaj vere dhe në cilin bregdet.

“Po, jashtë Kosovës janë kryer njëherë (në diasporë), kështu që jam në Durrës dhe Ulqin, pasi edhe sezoni po i pushimeve ka filluar”.

Labi nuk ka dhënë detaje të këtyre mbrëmjeve përpos që ka thënë se kjo varet edhe nga disa faktorë, siç është moti. “Jo, në Kosove nuk do këndoj gjatë kësaj vere”.

Përpos këtyre këngëtarëve të angazhuar, Express ka tentuar që të kontaktojë edhe me Sabri Fejzullahun, Ermal Fejzullahun dhe disa këngëtarë të tjerë, të cilët nuk e kanë ngritur receptorin telefonik.

Punën e shfrytëzojnë edhe për plazh

Këngëtarët e estradës kosovare përpos që fitojnë para të mira në mbrëmjet nëpër bregdet, ata e shfrytëzojnë kohën edhe për plazh. Kështu ndodh zakonisht për ata të cilët rrinë për kohë të gjatë në pushime. Një fakt të tillë e ka pranuar edhe këngëtarja Ryva Kajtazi, e cila në një intervistë në KTV ka thënë se përpos këngës atje edhe bëjnë plazh. “Sigurisht gjatë ditës e shfrytëzojmë plazhin”, ka thënë Ryva e cila po ashtu ka shtuar se do të këndojë në disa mbrëmje në qytetet bregdetare shqiptare.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›