E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ibra: Mesi duket sikur luan "playstation"

Në një intervistë të gjatë për "El Mundo Deportivo", Zlatan Ibrahimoviç është shprehur mjaft entuziast për transferimin te Barcelona dhe zbulon detajet e marrëveshjes, që u përfol gjatë në media. "Këtu janë të gjithë lojtarë të jashtëzakonshëm. Kur sheh Mesin duket sikur po luan në ‘playstation‘", deklaroi sulmuesi suedez. "Do të jetë e vështirë që Barça të përsërisë sukseset e sezonit të kaluar, megjithatë që tani e imagjinoj veten te fotografia me Kupën (në Champions)". 27-vjeçari pohoi se ka shpresuar të ishte pjesë e "blaugranave" që prej momentit kur menaxheri i tij, Mino Raiola, i tha se katalanët interesoheshin për ta blerë. "Në atë periudhë më tha që Barça më donte, por se situata ishte e komplikuar", deklaroi Ibrahimoviç. "Iu përgjigja menjëherë që duhet t‘i bënim gjërat sa më të thjeshta dhe në këtë mënyrë transferimi nuk do të ishte i vështirë. Në fakt, tani ndodhem këtu, i lumtur dhe po pres me padurim që të kthehem në fushat e lojës. Dua të fitoj sa më shumë tituj me këtë skuadër". Aktualisht, suedezi nuk po stërvitet për shkak të operacionit në dorë, "kujtimi" i fundit nga Interi, megjithatë i është bashkuar skuadrës spanjolle në turneun në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. "Dëshiroj të kthehem sa më shpejt që të jetë e mundur, për t‘u stërvitur me shokët e rinj të skuadrës, vazhdoi ai. Më pritën në mënyrë të shkëlqyer. Cilësia më e mirë që kam gjetur te ky grup është thjeshtësia".

Ibrahimoviç e ka të qartë sfidën që paraqet përfaqësimi me një emër si Barcelona. "Firmosa për një ekip fitues, a e dini se çfarë do të thotë kjo? Që çdo ditë duhet të bësh edhe më mirë se në të kaluarën. Nëpër ndeshje përballesh me kundërshtarë që japin 200 për qind për të fituar me Barçën, sepse kjo është ndeshja e jetës. Por, kjo të motivon edhe më shumë, të detyron të jesh gjithmonë i përqendruar dhe i përgatitur. Nuk ka kohë për t‘u çlodhur, sepse jemi më të fortët dhe duhet ta tregojmë në çdo sfidë. Kjo më emocionon".

Vlerësimi për shokët e ekipit dhe trajnerin janë në nivelet maksimale: "Mesi është i jashtëzakonshëm, duket sikur është në ‘playstation‘! Sesi arrin t‘i realizojë ato lëvizje nuk e di, por janë të mrekullueshme. Megjithatë, nuk është vetëm ai. Kthen kokën majtas dhe aty ndodhet Henri, mbrapa janë Iniesta dhe Ksavi dhe ti mendon: këtu janë të gjithë yje. Guardiola? Ai që nuk e njeh këtë emër dhe nuk e admiron, nuk merr vesh nga futbolli. Më ka dhënë udhëzimet e para, më tregoi se ku kërkon që unë të luaj. Guardiola i transmeton skuadrës respektin ndaj topit, një kulturë që e kam mësuar tek Ajaksi, por edhe tek Interi i Murinjos". Ibra i ka të qarta idetë për ato që janë ambiciet për sezonin e ardhshëm: "Nuk e di çfarë do të kisha dhënë që të isha te kjo skuadër gjatë finales së Romës, ku Barça fitoi Champions-in. Por, në foton në ‘Bernabeu‘ do të jem edhe unë si kampion i Europës…".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›