Ekleston përshëndet rikthimin e Shumit: Do të fitojë sërish
"Rikthimi i Mikael Shumaher në Formula 1 është një lajm shumë i madh. Besoj se ai do të jetë sërish protagonist në gara dhe do të fitojë". Berni Ekleston shprehet entuziast për vendimin e shtatë herë kampionit të botës, i cili pranoi të zëvendësonte përkohësisht Felipe Masën te Ferrari. Rishfaqja e pilotit gjerman nuk është përshëndetur vetëm nga tifozët e "kokëkuqes", por edhe nga numri 1 i "Cirkusit", i cili ka aprovuar zgjedhjen e skuderisë nga Maranelo. "Po pres me padurim që ta shoh sërish në aksion", theksoi ai për "Bild". Ekleston ka besim se Shumaher do të jetë protagonist: "Mikael është një person inteligjent, jo idiot. Askush nuk ka qenë në formë dhe i stërvitur si ai. Në pistë do të shohim të njëjtin pilot, si në kohët e arta. Kur Shumi garon, ai është gjithmonë shumë i shpejtë. Nuk mendoj se do të kishte zgjedhur të kthehej nëse nuk do të ishte në gjendje që të garonte sërish". Rikthimi i Shumaher shihet edhe si një lajm i mirë, pas problemeve të shumta që ka përjetuar F.1.