E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ibra debat me Akuilanin dhe Robinjon

Të martën kundër Kaljarit, Zlatan Ibrahimoviç ka festuar prezencën e tij të 200-të në kampionatin italian, duke shënuar golin e 105-të personal. Suedezi ndaj kuqebluve ka shënjestruar golin e tij të 11-të për këtë fazë të Serisë A. Por, përpara se të tundte rrjetën kundërshtare, suedezi 30-vjeçar ka pasur shqetësime në stomak, madje edhe ka vjellë në fushë. Por gjatë këtij takimi, gjiganti i kuqezinjve ka qenë shumë nervoz, aq sa nuk e ka kontrolluar dot veten, duke ofenduar me fjalë të ashpra shokun e tij të skuadrës, Alberto Akuilanin, i cili gaboi një pasim për të. Ekziston mundësia që gjykatësi sportiv mund të vendosë të marrë në shqyrtim imazhet televizive dhe të përdorë provën televizive për të skualifikuar futbollistin e Milanit. Edhe pse bëhet fjalë për një futbollist të huaj, është e vështirë të individualizohet fjalori vulgar që ka përdoruar Ibra. Por në rast se gjykatësi sportiv vlerëson si prova imazhet televizive, atëherë Zlatani rrezikon të skualifikohet për dy apo tri javë (ndeshje), duke e lënë Milanin të përballet i vetëm në derbin kundër Interit. Kaq i xhindosur ka qenë sulmuesi suedez, sa në fund të pjesës së parë ka debatuar ashpër edhe me Robinjon. Nga ana tjetër, edhe braziliani nuk ia ka lënë mangët. E gjitha lindi për një pasim të munguar nga ana e Robinjos, kur Ibra ndodhej në zonë. Numri 11 u acarua kaq shumë për atë pasim të munguar, sa që nuk donte as të kthehej nga pozicioni jashtë loje që ndodhej. Diskutimi ndërmjet Ibrës dhe Robinjos përveçse në fushë ka vazhduar edhe në tunel, madje edhe në dhomat e zhveshjes, aq sa është dashur ndërhyrja e trajnerit, Masimiliano Alegri, për të qetësuar gjakrat. Me sa duket, Ibra do ta mbyllë vitin 2011 ashtu siç e nisi, kur u skualifikua nga gjykatësi sportiv, Marko Rosi, për ato fjalë vulgare që përdori kundër gjyqtarit anësor në Firence. Duket se imazhet televizive kanë fiksuar Ibrahimoviçin teksa ofendon rëndë Akuilanin. Atëherë natyrshëm lindin pyetjet: Çfarë po i ndodh Ibrahimoviçit? Dhe mbi të gjitha, pse është kaq nervoz..?

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›