E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo Kiev, pas Shaqirit

Nuk shkon asnjë ditë pa u spekuluar rreth transferimit të yllit të Baselit në një klub tjetër të madh evropian. Në fund të fundit ende nuk ka asgjë konkrete rreth transferimit të mundshëm të 20 vjeçarit, por një gjë është e sigurt: Klubi i cili e dëshiron mesfushorin kosovar duhet ta futë thellë dorën në xhep.

Basel tashmë kërkon mbi 10 milion euro për futbollistin me prejardhje nga Gjilani, i cili po kërkohet nga një numër i madh i klubeve, të cilave tashmë u është bashkuar edhe gjiganti i futbollit ukrainas, Dinamo Kiev.

Sipas portalit të njohur zviceran Blick.ch, klubi ukrainas nuk e ka problem çështjen e parave, por ende nuk ka paraqit ofertë zyrtare në Basel për reprezentuesin e Zvicrës.

Duhet theksuar se Shaqiri ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve nga ligat më të forta evropiane. Së fundmi mediat angleze kanë raportuar se dy gjigantët e Premierligës, Liverpool e Manchester United seriozisht janë të interesuar për shërbimet e tij. Thuhej se Shaqiri ka lënë përshtypje të mëdha te Sir Alex Ferguson gjatë ndeshjes së Ligës së Kampionëve mes Baselit e Manchester Unitedit.

Edhe pse Shaqiri ka kontratë me Baselin deri në vitin 2014, vështirë se Basel do t’i bëjë ballë interesimit të madh të klubeve evropiane. Andaj, është vetëm çështje kohe largimi i tij nga Baseli. Por, a do të ndodhë kjo në janar apo në verën e ardhshme, mbetet të shihet.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›