E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serie A mbyll vitin, Bufon do zonën Champions Ranieri kërkon ta rikthejë Interin në krye

Xhanluixhi Bufon ka pranuar se objektivi kryesor i “Zonjës së Vjetër” për vitin e ardhshëm është kualifikimi në Ligën e Kampionëve. Juventusi barazoi pa gola të mërkurën ndaj Udinezes, duke humbur kreun e tabelës ndaj Milanit, i cili edhe pse me pikë të barabarta kryeson falë diferencës më të mirë të golave. “Ishte një ndeshje e bukur, shumë taktike dhe në fund barazimi ishte rezultati i drejtë. Ne vazhdojmë të jemi të pamposhtur dhe ky është një fakt që na bën krenarë, askush nuk kishte menduar se ne do të mund ta arrijmë këtë. Synimi për vitin 2012? Nuk është titulli kampion, është një vend që do të na dërgojë në Ligën e Kampionëve”, ka deklaruar Bufon për “Corriere dello Sport”. Juventusi do të kthehet në fushë më 8 janar me ndeshjen kundër Leçes.

Trajneri i Interit, Klaudio Ranieri, ka deklaruar se synimi i ekipit të tij për vitin e ardhshëm është të kthehet në krye të tabelës. Interi fitori thellë të mërkurën 4-1 ndaj Leçes për t’u ngjitur në vendin e pestë të tabelës, por Ranieri shpreson se viti i ardhshëm do të sjellë edhe më shumë ngritje për zikaltërit. “Ndaj Leçes ishim të pafat pasi goditëm shtyllën katër herë, por ia dolën mirë për t’u rikuperuar nga disavantazhi fillestar. Për këto Krishtlindje deshëm fitore, ne gjithmonë themi se duhet të bëjmë një rikthim, të kthehemi aty ku vërtet meritojmë të jemi. Nuk do të jetë e lehtë, por ne do të japim gjithçka. Ekipi duhet të bëjë më shumë, ne mundemi dhe duhet t’ia dalim shumë më mirë. Titulli kampion? Ne mendojmë vetëm për një ndeshje në kohë”, ka thënë Ranieri. Zikaltërit do të zbresin në fushën e lojës më 7 janar në një sfidë delikate kundër Parmës në “Tardini”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›