E Diel, 1 Nëntor 2026

Dueli Guardiola-Murinjo: S’jemi më të mirët? Kemi mundur Realin

SHKRUAN: Jeton Selimi 23-12-2011 15:12

Trajneri i Barcelonës i përgjigjet kolegut portugez të madrilenëve, që e kishte cilësuar të parëndësishëm trofeun e Botërorit të Klubeve të fituar së fundmi nga katalanasit

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola shijon triumfin në Botërorin e Klubeve, duke preferuar të ironizojë në lidhje me deklaratat e Zhoze Murinjos, që e cilësoi këtë trofe të parëndësishëm në krahasim me Ligën e Kampioneve. Për ta bërë këtë, tekniku katalanas mbështetet te arma e tij më e fortë, fitorja në përballjen direkte me Realin e Madridit. "Kushdo që të ishte trajner i skuadrës madrilene do të komentonte në këtë mënyrë. Ne fituam përballjen direkte dhe më pas Botërorin e Klubeve. Për këtë jemi të kënaqur dhe shohim përpara. Nuk jemi skuadra më e mirë në botë. Nuk është problem nëse vazhdojmë të fitojmë çdo gjë"- ka qenë përgjigja e Guardiolës. Edhe ky kampionat do të diskutohet mes Barcelonës dhe Realit, i cili për momentit kryeson renditjen në Primera Divizion, por për teknikun vendimtar do të jetë ecuria në ndeshjet e para të vitit të ardhshëm. Trajneri 40-vjeçar ka folur edhe për dëmtimin e David Vijas, që theu këmbën në gjysmëfinalen e Botërorit të Klubeve. Guardiola është shprehur se sulmuesi do të jetë një mungesë e rëndësishme për skuadrën e tij, ndërsa shpreson që ai të rikuperohet sa më shpejt. Ndërsa për rinovimin, Pep tha: “Është e vërtetë që ne fitojmë dhe që ndihemi mirë për këtë, por rinovimi im nuk ka të bëjë me sukseset që ne arrijmë. Vazhdimësia e një trajneri në këtë klub nuk ka të bëjë me fitoren e trofeve, sepse ne për shembull mund të mos kishim fituar Superkupën e Spanjës, nuk ishte një trofe në të cilin luajtëm mirë. Mendoj se gjëja kryesore është që klubi të ketë stabilitet. Për momentin ne jemi mirë, kështu sic jemi, ndaj dhe unë nuk kam pse të nxitohem në lidhje me rinovimin tim. Kur të marr një vendim, i pari që do të lajmëroj do të jetë presidenti im”.

Rosell: Pep, më i miri në botë

Presidenti i Barcelonës Sandro Rosell ka dhënë disa deklarata rreth rinovimit të kontratës me tranjerin aktual të skuadrës Pep Guardiola. "Kemi skuadrën që drejtohet nga tranjeri më i mirë në botë. Është personi që më së miri nënkupton fjalë respekt. Të gjitha fjalët ai i kthen në vepra dhe kjo më pëlqen shumë tek ai", u shpreh Rosell. Ndërsa për kontratën e re presidenti katalanas u shpreh: "Është pyetja që më bëhet 300 herë në vit dhe unë kam të njëjtën përgjigje. Kontrata është e gatshme në tryezë. Nëse do mund të firmosë për një, dy ose për gjithë jetën. Tani çdo gjë varet nga Pep".

Valdez e Sançez: Duam më shumë trofe

Aleksis Sançez është i ngazëllyer që tashmë ka tre tituj brenda gjashtë muajsh me fanellën e Barcelonës, por thotë se dëshiron më shumë. “Jam shumë i lumtur me tre titujt, por duhet të shtoj të tjerë. Nuk mendoj për t’u ndaluar, as unë e as ekipi. Fatkeqësisht nuk kam mundur të luaj në finalen e Kupës Botërore të Klubeve, por është një nder që isha të paktën atje” , ka thënë Sançez. Kiliani ka fituar Superkupën e Spanjës, Superkupën e Europës dhe Kupën Botërore të Klubeve me Barcelonën. Ndërkohë, Viktor Valdez, portieri që i ka shijuar të gjitha me Barçën e tij, ka thënë se blaugranat dëshirojnë të fitojnë gjithçka këtë sezon, përkundër faktit se vitrinat janë tashmë plot. “Ne duhet të tregojmë se duam të fitojmë shumë tituj. Kur ne ngremë një trofe, ne e bëjmë sikur të ishte i pari. Duam të fitojmë më shumë. Kupa e Botës për klube është një titull vërtet me rëndësi për ne. Duhet ta respektojmë më shumë atë garë, sepse është e vështirë ta fitosh. Guardiola është mjeshtër. Në secilën stërvitje po më duket se po mbaj mësim sikurse në universitet. Ai kurrë nuk lejon relaks. Ai më mësoi si të kënaqem dhe si të luaj futboll në grup”, u shpreh Valdes.

Por Santos mohon ardhjen e Nejmar

Santosi dhe Barcelona nuk kanë asnjë marrëveshje lidhur me transferimin në “Camp Nou” të talentit Nejmar. Është klubi brazilian që reagon me një njoftim zyrtar ndaj zërave që e quanin të përfunduar akordin sipas të cilit Nejmar do të transferohej te Barça në vitet në vijim dhe për këtë katalanasit kishin paguar paraprakisht 10 milionë euro për ta bllokuar lojtarin. Klubi i Santosit sqaroi në daljen për mediat se Nejmar nuk ka asnjë parakontratë me asnjë klub mbi të ardhmen e tij dhe se do të vazhdojë të jetë një lojtar i klubit brazilian edhe pas vitit 2014.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›