E Diel, 1 Nëntor 2026

Ibra, entuziast për Barçën: Jam si një fëmijë i lumtur

Edhe pse nuk është prezantuar zyrtarisht si lojtar i Barcelonës, Zlatan Ibrahimoviç nuk e fsheh gëzimin për transferimin në "Kamp Nou". "Jam i lumtur si një fëmijë dhe po pres me padurim të filloj të luaj për Barçën", ishte deklarata e sulmuesit për të përditshmen "El Mundo Deportivo". Ish-lojtari i Interit e kaloi fundjavën në Suedi, ndërsa sot paradite ka fluturuar drejt Barcelonës: të hënën do t‘u nënshtrohet vizitave mjekësore dhe më pas do të bëhet pjesë e kampionëve të Europës, të drejtuar nga Pep Guardiola. Sipas pohimeve të drejtorit teknik të klubit "blaugrana", Çiki Begirishtajn, Ibrahimoviç mund të prezantohet që prej së hënës, ose ndoshta të martën. Ndërkohë, "Ibrakadabra", si e thërrasin tifozët katalanë, gjatë ditës së djeshme ishte i detyruar të luante kukafshehthi me gazetarët që kishin "pushtuar" shtëpinë e tij, në zonën rezidenciale pranë plazhit Ribersborg. Për të mbajtur mediat sa më larg yllit suedez ishin angazhuar edhe policët e Malmos, që për disa orë u shndërruan në "truproja".

Të mirinformuarit theksonin se lojtari ka mbajtur vazhdimisht kontakte telefonike me menaxherin e tij, Mino Raiola, i cili ka mbyllur edhe të gjitha detajet e kontratës, madje është interesuar edhe për rezultatin e ndeshjes ku Barcelona barazoi 1-1 me Totenhemin. Në anën tjetër, nga stadiumi "Uembli", Guardiola i ka uruar mirëseardhjen Ibrës, por pa e tepruar në deklaratat e dhëna, pasi ende mungon zyrtarizimi i marrëveshjes. "Me sa di unë, Zlatanin e kanë autorizuar që të zhvillojë vizitat mjekësore. Mund të them se është një futbollist i shkëlqyer, por nuk do të bëj asnjë koment tjetër, deri në momentin që Barcelona dhe Interi do të konfirmojnë akordin për transferimin e tij", shpjegoi trajneri për "Sport". "Në rast se bëhet pjesë e skuadrës, shpresoj që Ibra të përshtatet me mënyrën e lojës në kampionatin spanjoll dhe natyrisht që prej tij pres më të mirën".

Më tej, arkitekti i triumfit të Barçës në Champions, La Liga dhe Kupën e Mbretit foli edhe për mesfushorin Aleksandër Hleb. Bjellorusi, i cili parashikohet të luajë një vit në formë huazimi tek Interi, si pjesë e marrëveshjes së transferimit të Ibrahimoviç, nuk e ka pritur mirë kalimin në Itali. Me diplomaci Guardiola tha: "Hleb do të vazhdojë të stërvitet me ne, deri në momentin kur zikaltërit do të prononcohen". Blerja e Ibrahimoviç, që gjatë sezonit të kaluar u shpall golashënuesi më i mirë në Serinë A, nuk do të jetë përforcimi i vetëm i katalanëve. "Do të vazhdojmë të studiojmë merkaton. Na penalizon fakti që për dy muaj, Ture dhe Keita do të jenë të impenjuar në Kupën e Afrikës dhe nuk dua të blej një futbollist për ta aktivizuar vetëm dy muaj, por për të gjithë sezonin. Gjithsesi, ka ende kohë deri në fund të gushtit dhe sipas gjasave do vazhdojmë ta përforcojmë kontingjentin", përfundoi Guardiola.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›