E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vale Rosi "pole" në Donington: E papritur, duhen përmirësime

Valentino Rosi me Jamahan e tij do të niset përpara të gjithëve në Çmimin e Madh të Anglisë, gara e dhjetë e Botërorit të MotoGp. Tetë herë kampioni i botës e ndaloi kronometrin në kohën 1‘28"116, duke qenë vetëm 95 të mijtat më i shpejtë se Honda zyrtare e Daniel Pedrozës. Vija e parë e nisjes plotësohet nga Jamaha e Horge Lorencos: për të dhjetën herë radhazi, spanjolli do të niset nga tri vendet e para. Në anën tjetër, Keisi Stoner vazhdon të jetë në vështirësi. Australiani i Dukatit, rrëshqiti në minutat e para të provave me motorin 1, duke kompromentuar shanset për të konkurruar për "pole position". Ish-kampioni i botës është kënaqur me vendin e katërt, përpara Andrea Doviciozos me Honda dhe Jamahas së Kolin Eduards. Pavarësisht se do të niset nga "pole" Rosi nuk është plotësisht i kënaqur me motorin. "Doktori" tha: "Për mua, nisja nga vendi i parë është një surprizë e bukur, pasi në mëngjes kishim mjaft probleme. Nuk ndihesha mirë me gomat e forta, por ndryshe nga sa mendoja ishte mjaft i shpejtë në pistë. Edhe pse e dimë që gjatë garës do të bjerë shi, mendoj se jam i avantazhuar që nisem nga vendi i parë".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›