Ibra, i varfër mes pasanikëve
Transferimi i Zlatan Ibrahimoviç te Paris Seint Zhermen bëri shumë bujë. Jo vetëm sepse kjo ishte tradhtia e radhës e suedezit, por mbi të gjitha për rrogën që ai do të përfitojë në kullën Eifel. Opinioni publik dhe politikanët francezë u zemëruan me faktin që sheikët e PSG-së do ta paguajnë 14 milionë euro në vit sulmuesin suedez. Edhe pse me rrogën vjetore te Ibrës mund të blihen 7 Bugatti Veyron Super Sport apo 17.199 akullore të mbuluara me ar 23 karatë, futbollisti 30-vjeçar nuk është në krye të listës së atyre që fitojnë më shumë në botë. Në Los Anxhelos banon Xhizel Bundshen, modelja më e paguar në botë, që në vitin 2012 ka përfituar 36 milionë e 777 mijë euro. Me llogari të thjeshtë del se super-modelja e Victorias Secrets përfiton 2.27 herë më shumë se Ibrahimoviç. Në lojën e krahasimeve mund të shkohet edhe më tej, duke krahasuar rrogën e Ibrahimoviç me ato të personaliteteve të tjera dhe sipas klasifikimit të revistës Forbes për më të pasurit deri në moshën 30 vjeçare, kupton se Lady Gaga përfiton 4 herë e gjysmë më shumë se sulmuesi i PSG-së, falë të ardhurave prej 73,5 milionë eurosh në vit. Nga kjo, ndoshta të vjen të thuash i shkreti Ibrahimoviç. Por, ka edhe më keq. Sulmuesi kalohet në klasifikim edhe nga adoleshenti Xhastin Bibër që përfiton 43,3 milionë euro në vit. Nga sportistët i pari renditet kampioni filipinas i boksit, Meni Pakuiao me 40,7 milionë euro. Më pas vijnë LeBron Xhejms me 39,2 milionë, Lionel Mesi me 33 milionë, nga të cilat 11 vetëm nga rroga te Barça, Tronketi Provera me 22,2 dhe Samuel Etoo që te Anzhi përfiton 20,5 milionë euro. Ibra merr rrogë më të lartë se Kristiano Ronaldo (13 milionë euro neto te Reali), Frenk Riberi 10 te Bajerni, Ksavi e Iniesta 7 te Barcelona. Gjithsesi, duket se suedezi mbetet i varfër mes të pasurve, një tjetër etiketim që nuk do ti pëlqejë, pas atij të njohur botërisht si lojtar i madh me të vegjlit, por i vogël me të mëdhenjtë.
————————————————–
Fillojnë kapriçot e Ibrahimoviç, kërkon numrin 10
Zlatan Ibrahimoviç ka filluar menjëherë polemikat te PSZH, ndonëse ka shumë pak ditë që ka firmosur me këtë skuadër. Sipas asaj që ka publikuar dje Le Parisien, futbollisti ka bërë të qartë se dëshiron të luajë vetëm me numrin 10 në shpinë, numër të cilin ia kishin premtuar te Milan para se ta shitnin.
Fanella e Nene
Por kjo fanellë është e sulmuesit Nene, i cili ka kërkuar largimin nga skuadra por trajneri Ançeloti dëshiron të vazhdojë ta ketë në dispozicion si alternativë të suedezit. Për çështje korrektësie, drejtuesit e ekipit francez kanë vendosur që këtë fanellë të vazhdojë ta mbajë Nene, ndonëse ky është një gjest që nuk i ka pëlqyer tekanjozit Ibra. Nuk është vendosur ende se çfarë numri do të mbaj në këtë skuadër. Por nëse drejtuesit e klubit duan të më kënaqin, ata e dinë se çfarë duhet të bëjnë, tha lojtari para gazetarëve. Por përgjigja e Leonardo ka qenë shumë e prerë: Për fanellën me numrin 10 duhet të presë më parë largimin e një futbollistit tjetër. Me pak fjalë, nëse Nene nuk shitet, atëherë Ibrahimoviç do të mbajë në shpinë një numër tjetër.
Raiola
Menaxheri i tij, Mino Raiola, është munduar të kalojë gjithçka në plan të dytë me një batutë të zakonshme të tijën. Në kontratë nuk është e shkruar askund një klauzolë e tillë. Mua më interesojnë shumë shifrat që shkruhen në kontratë, por të them të drejtën jo ajo lloj shifre, tha menaxheri i cili ka arritur ti sigurojë lojtarit një pagesë prej 14 milion euro në sezon.