E Diel, 1 Nëntor 2026

Milani shënjestron Yanga për mbrojtjen, lind edhe ideja Kaka

Pas largimit të dyshes kryesore të mbrojtësve, Thiago Silva-Nesta, tek Milani janë duke punuar me intensitet për të përforcuar këtë repart dhe e ardhmja duket se është identifikuar tek Yanga-Mbiwa. Qendërmbrojtësi i Montpellier, 23-vjeçar, dallohet për forcën e tij fizike dhe ndonëse i duhet ende punë për tu përmirësuar taktikisht, është një prej të preferuarve të Allegrit, që beson se shumë shpejt ai mund të fitojë një rol vendimtar brenda skuadrës. Megjithatë, negociatat do të fillojnë vetëm javën e ardhshme, pas Superkupës së Francës midis Montpellier dhe Lyon, ndërsa problem mbetet çmimi, sepse vlera fillestare prej gjashtë milionë eurosh, është trefishuar si rrjedhojë e interesimit të disa skuadrave menjëherë. Me Acerbin, blerjen e vetme në këtë repart që nuk ofron siguri, kuqezinjtë janë duke punuar edhe për portugezin Rolando, për të cilin bisedimet me Porton vazhdojnë pa publicitet.
Rikthimi i Kaka
Megjithatë, lajmi i vërtetë është se në orët e fundit, flitet gjithmonë e më shumë për mundësinë e rikthimit të Kaka në San Siro. Në mënyrë që të lirohet nga paga e tij faraonike, Reali është i gatshëm që ta lërë të largohet për vetëm dhjetë milionë euro. Interesin e parë rreth brazilianit e shfaqi Paris SG, por pas refuzimit kategorik të Kaka për të luajtur në Francë, mundësia e një rikthimi në Milano është një realitet që nuk mund të përjashtohet.
Të tjerët
Emra të tjerë që qarkullojnë rreth Milanit në këto momente janë edhe ato të Tevez, Matri e Lassana Diarra, ndërsa një ish-milanist, Seedorf, zhvilloi ndërkohë ndeshjen e tij të parë me fanelën e skuadrës së tij të re, Botafogos braziliane.

Tifozët milanistë tallen: Vdiq Milani!
Rimbursimi i abonimeve vjetore nuk ka kënaqur tifozët e Milan, të cilët kanë protestuar përsëri kundër vendimit të drejtuesve të skuadrës për të shitur Zlatan Ibrahimoviç dhe Tiago Silva, ndërsa nuk kanë afruar asnjë kampion në vend të tyre. Gjatë ditës së djeshme është organizuar një protestë mjaft origjinale, me tifozët që kanë vendosur para derës së zyrave të klubit një lajmërim funebër dhe kanë bërë homazhe për vdekjen e klubit italian. A.C. Milan u nda nga të afërmit më të dashur, shkruhej me ironi në lajmërimin për vdekje ku ishte vënë data e themelimit të klubit, 1899, si dhe ajo e vdekjes së tij, 2012, pikërisht viti në të cilën u larguan kampionët e mëdhenj nga kjo skuadër. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, ky lajmërim ka inatosur drejtuesit kuqezinj, të cilët u kanë bërë thirrje tifozëve që të qëndrojnë të qetë sepse është normale që skuadra të fillojë një vit tranzicioni pas shumë suksesesh radhazi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›