E Diel, 1 Nëntor 2026

Ibrahim Muçaj, Kinematografia i jep lamtumirën një prej emrave të filmit

Izaura Ndoj

Personalitete të shquara të artit dhe kulturës, kolegët, miqtë dhe familjarët i dhanë dje lamtumirën e fundit regjisorit të shquar Ibrahim Muçaj. Ai u nda nga jeta në moshën 65 vjeçare, pas një ataku kardiak, ku në mënyrë krejt të papritur kinematografia shqiptare ka humbur një prej emrave më të shquar të saj. Ibrahim Muçaj është regjisor i shumë filmave të njohur shqiptarë, ai ishte një nga regjisorët më prodhimtarë shqiptarë, skenarist e pedagog në Akademinë e Arteve. Firmën e tij mbajnë një seri filmash, që renditen në fondin e artë të kinemasë shqiptare. Muçaj lindi më 8 dhjetor të vitit 1944, në Vlorë. Pasioni për kinematografinë u shfaq qysh herët tek ai. Në moshë fare të re, ai ka realizuar filma mjaft të suksesshëm, duke bashkëpunuar me emrat më të mirë të aktrimit shqiptar, si “Tokë e përgjakur” (1976), “Dimri i fundit” (1976), “Nusja dhe shtetrrethimi” (1978), Liri a vdekje (1979), etj. Gjatë karrierës së tij ka bashkëpunuar ngushtë me regjisorin Kristaq Mitro, me të cilin ka realizuar një numër të madh filmash. Të tjerë filma që mbajnë firmën e Ibrahim Muçajt janë “Dëshpërimisht”(2000), “Një djalë edhe një vajzë”(1990), “Telefoni i një mëngjesi” (1987), “Duaje emrin tënd” (1984), “Apasionata”, “Njeriu i mirë” (1982), “Në prag të lirisë” (1981). Gjithashtu është autor i një sërë dokumentarësh. Regjisori Muçaj është cilësuar si njeri me kontribut të çmuar në kinemanë shqiptare, i cili do të kujtohet përherë nëpërmjet filmave dhe dokumentarëve të tij. Mes miqsh dhe bashkëpunëtorësh Muçaj kujtohet si një njeri dinamik dhe tepër aktiv. Gjatë karrierës së tij ka shërbyer edhe në funksione të larta si drejtor i “AlbaFilm Studio”, drejtues Projektesh në Qendrën Kombëtare Kinematografike Shqiptare, një kontribut të çmuar ka dhënë edhe në fushën e mësimdhënies, si pedagog në degën e regjisë skenike, pranë akademisë së Arteve. Vdekja e parakohshme, i la disa projekte përgjysmë. Në prillin e vitit 2008 Qendra Kombëtare Kinematografike miratoi projektin “Fundi i një iluzioni”, të cilin po e realizonte, së bashku me të birin, Irvin Muçaj.

Si e njohëm regjisorin Ibrahim Muçaj
Regjisor Ibrahim Muçaj, Artist i merituar. Lindi në Vlorë me 8 Dhjetor 1944 ku kreu dhe shkollën e mesme të përgjithshme. Mbaroi Institutin e lartë të Arteve për aktor me 1968. Fillimisht punoi si asistent regjisor në filmat:
- “I teti në bronz” regj: Viktor Gjika 1970
- “Kur zbardhi një ditë” regj: Pirro Milkani 1971
- “Ndërgjegjja” regj: H.Hakani 1972
- “Brazdat” regj: K.Dhamo 1973
- “Gunat përmbi tela” regj: M. Fejzo 1977

Puna e tij e pavarur si regjisor ishin filmat dokumentare si :
- “Kënga e re” 1971
- “Jeta e një përmendoreje” 1974
Debutimi i tij regjisorial në filmin artistik është i lidhur ngushtë me krijimtarinë e përbashkët të gjitha filmave artistike me regjisorin Kristaq Mitro. Filmi i tyre i parë “Dimri i fundit”, 1975 u nderua me medalje për regjinë më të mirë në Festivalin e Dytë të Filmit Artistik Shqiptar. Në vitin 1987 ai u nderua me titullin Artist i Merituar. Nga viti 1995-1997 kreu detyrën e Drejtorit të Studios “Alba Film”.

Filma të tjerë:
-Tokë e përgjakur 1976
-Nusja dhe shtetrrethimi 1978
-Telefoni i një mëngjesi 1978
-Liri a vdekje 1979
-Në prag të lirisë 1981
-Njeriu i mirë 1982
-Apasjonata 1983
-Duaje emrin tënd 1984
-Një djalë dhe një vajzë 1990
-Një ditë e mrekullueshme 2001
-Isopolifonia (dokumentar) 2009

6 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›