Tadiç në Kosovë, Sejdiu: “Të shkatërrohen strukturat paralele”
Blerina Olldashi
Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se presidenti serb Boris Tadiç lejohet të vizitojë Kosovën më 7 janar, por vizita e tij duhet të ketë karakter fetar dhe jo politik. Vizita e Tadiç përkon me situatën e trazuar në vend dhe ndërhyrjeve të Beogradit, i cili po intensifikon përpjekjet për krijimin e strukturave paralele në veri të vendit, kryesisht në gjykata. Me këtë rast, presidenti Fatmir Sejdiu ka kërkuar mbështetjen e EULEX-it dhe të Zyrës Civile Ndërkombëtare që të ndërmerren masa urgjente për shuarjen e strukturave paralele dhe parandalimin e veprimeve të tjera të Beogradit. Gjatë takimit me shefin e EULEX-it, Iv de Kermabon, dhe zëvendësshefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare, Fleçer Burton, presidenti kosovar diskutoi për veprimet e vazhdueshme të Serbisë nëpërmjet strukturave paralele, të cilat kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës. “Republika e Kosovës është e përkushtuar për zbatimin e plotë të Pakos së Ahtisarit, që përfshin edhe shuarjen e menjëhershme të strukturave paralele. Është detyrim i të gjitha institucioneve të Kosovës që në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, të ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura për ta realizuar këtë detyrim”, citohet të ketë thënë presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në një komunikatë për opinion. NË fund të janarit Sejdiu ka organizuar një mbledhje të presidentëve të Ballkanit, në të cilën ka mënjanuar pjesëmarrjen e presidentit serb Tadiç, i cili gjithsesi ka paraqitur kërkesën e tij për të vizituar Kosovën, përkatësisht Manastirin e Deçanit më 7 janar, me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj tha se Qeveria e ka marrë kërkesën nga Zyra e Përfaqësuesit të Bashkimit Europian dhe ka marrë vendimin që Tadiçit t’i lejohet vizita, por me disa kushte. “Ai vjen në shtetin e Kosovës dhe ai nuk mund të keqpërdorë qëndrimin e tij për fjalime politike. Këto janë edhe vërejtjet që i janë bërë ICO-së dhe në këtë kontekst, në këto rrethana, në këtë mënyrë i lejohet vizita presidentit të Serbisë”, tha Manaj. Presidenti Tadiç, ka njoftuar përfaqësuesit e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, se dëshiron të vizitojë Kosovën më 7 janar, kur edhe janë Krishtlindjet Ortodokse. Këtë kërkesë, përfaqësuesit europianë ua kanë përcjellë institucioneve të Kosovës. Zëdhënësja e Përfaqësuesit të BE-së në Kosovë, Julia Rojter, përmes një deklarate me shkrim tha se zyrtarët europianë janë konsultuar ngushtë me Qeverinë në lidhje me vendimin për të lejuar ose jo vizitën e Tadiçit. Vendimi më pas iu la Qeverisë së Kosovës.
Vizitën e kreut serb, analistët kosovarë e shohin si një vazhdimësi të provokimeve, që Serbia i bën Kosovës. Analisti Agron Bajrami tha se institucionet e Kosovës nuk duhet të zgjedhin heshtjen përballë këtij provokimi. “Mendoj se institucionet e Kosovës e kanë për detyrim që t’i trajtojnë edhe mënyrat e tilla dhe qasjet negative, që vijnë nga Serbia dhe Beogradi”.
6 Janar 2010