E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, Obama shpall reforma të reja për sigurinë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama shpalli një seri reformash në politikat e antiterrorizmit dhe sigurinë në vend. Reformat marrin shkas nga përpjekja e një nigeriani për të hedhur në erë një avion udhëtarësh ditën e Krishtlindjes. Obama shpall masat e reja, duke përfshirë ndryshimin e listës së personave që vëzhgohen për terrorizëm, pas takimit me zyrtarë të lartë të ekipit të tij të sigurisë kombëtare. Presidenti u informua nga Drejtori i FBI-së Robert Muller, rreth hetimeve lidhur me përpjekjen për të hedhur në erë avionin si dhe u konsultua me Prokurorin e Përgjithshëm Erik Holder rreth procedurave për ndjekje ligjore ndaj nigerianit të dyshuar për incidentin. Ndërkohë ambasada amerikane në Jemen thotë se është rihapur pasi forcat e Jemenit morën masa të suksesshme ndaj rrezikut të sigurisë që shkaktoi mbylljen e saj për dy ditë. Misioni amerikan në Sana tha se Jemeni kishte zgjidhur një shqetësim konkret, përmes një operacioni kundër terrorizmit dje në veri të Sanës. Po ashtu paralajmëroi se kërcënimi i terrorizmit kundër interesave amerikane në Jemen, vazhdon të jetë i lartë. Edhe ambasada britanike në Sana u rihap, por i mbajti të pezulluara shërbimet publike.

Irak
Gjatë vitit 2009 janë ekzekutuar 77 vetë

Kryesuesi i Këshillit gjyqësor suprem të Irakut, Mahdat al-Mahmud, tha se në këtë vend janë ekzekutuar 77 vetë të dënuar me vdekje në vitin 2009. Ai theksoi se gjykata speciale për çështje të ndërlidhura me terrorizëm, ishte krijuar për të realizuar drejtësi të shpejtë në rastet e tilla. Kjo deklaratë u bë pas një vendimi gjyqësor në qytetin irakian, Rusafa, për të dënuar me vdekje tre vetë, për sulmet me bomba, nga të cilat u vranë 88 njerëz në qytetin verior, Taza, në qershor të vitit të kaluar.

Islandë
Referendum për kompensimin bankar

Populli i Islandës do të votojë në një referendum për të vendosur nëse do t’i paguajë më shumë se 5 miliardë dollarë Britanisë dhe Holandës. Paratë do të jenë një kompensim për paratë në dorë të paguara nga dy qeveritë për të mbuluar humbjet e pësuara nga personat që kishin para në bankat e Islandës kur ato falimentuan në 2008. Referendumi mund të ndikojë mbi aplikimin e Islandës për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ai u nxit nga refuzimi i presidentit Olafur Grimsson për të nënshkruar një faturë që aprovon pagesat e miratuara nga parlamenti javën e kaluar.

Jemen
Al Kaeda rekruton ish-të burgosurit e Guantanamos

Rreth 10 ish-të burgosur të Guantanamos të transferuar në Jemen janë rekrutuar për të luftuar së bashku me Al Kaedën. Lajmin e bën të ditur e përditshmja britanike “Times”, sipas të cilës po rritet ndjeshëm shqetësimi i Shteteve të Bashkuara lidhur me kapacitetet e autoriteteve jemenase për të pritur ish-të burgosurit. Sipas burimit, frika e Uashingtonit është se Jemeni po kthehet në një bazë për terrorizmin ndërkombëtar. Nga 198 të burgosurit që ndodhen aktualisht në Guantanamo, 91 janë jemenas.

6 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›