Nis sezoni i ngricave, 2 të vdekur, 5 të plagosur dhe 60 të bllokuar nga bora
Ftohja e motit dhe ngricat nëpër rrugë kanë sjellë dhe viktimat e para për vitin 2010. Një aksident i rëndë është regjistruar në aksin rrugor Burrel-Bulqizë, ku si pasojë e ngricave ka humbur jetën një person dhe janë plagosur dy të tjerë. Një tjetër aksident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e djeshme në Vorë, ku humbi jetën një person dhe u plagosën tre të tjerë. Ndërkohë që në Qafë-Mali mësohet se janë bllokuar rreth 60 persona për shkak të bllokimit të rrugës nga reshjet e borës.
Një tjetër aksident është regjistruar, ku një autobus udhëtarësh të linjës Lushnjë-Athinë, si pasojë e problemeve në rrugë, ka dalë nga rruga në afërsi të Artës, por për fat nuk ka pasur të dëmtuar rëndë.
Një i vdekur dhe dy të plagosur në Bulqizë
Një i vdekur dhe dy të plagosur. Ky është bilanci i aksidentit të ndodhur ditën e djeshme në aksin rrugor Burrel-Bulqizë. Nga informacionet paraprake të policisë mësohet se aksidenti është shkaktuar për shkak të ngricave në rrugë, duke bllokuar qarkullimin normal të automjetit me të cilin udhëtonin dy pasagjerë. Njëri prej tyre ka mbetur i vdekur në vend pasi automjeti doli nga rruga, ndërsa shoferi dhe pasagjeri tjetër janë plagosur dhe rezultojnë në gjendje të rëndë shëndetësore. Personat e aksidentuar janë ende të paidentifikuar dhe mësohet se aksidenti ka ndodhur konkretisht në vendin e quajtur Qafa e Buallit. Grupi hetimor mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe po merren në shqyrtim të gjitha provat e mundshme për sqarimin e rrethanave të aksidentit dhe shkaqet e tij.
Aksident në Vorë
Një aksident i rëndë automobilistik me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e 3 të tjerëve ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Vorë, në vendin e quajtur kthesa e Gërdecit. Makina tip “Benz”, në të cilën udhëtonte viktima dhe 3 personat e plagosur, doli nga rruga, por shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta. Tre të plagosurit janë transportuar drejt Spitalit Ushtarak, ndërkohë që burime pranë këtij spitali pohojnë se gjendja e tyre është mjaft e rëndë. Identiteti i viktimës nuk bëhet i ditur, por mësohet se ai ishte drejtuesi i mjetit, ndërsa të plagosurit ishin pasagjerë. Makina e përfshirë në aksident, ku udhëtonin 4 persona, ishte me targa TR 6654 J. Policia ka arritur në vendin e ngjarjes dhe po heton për shkaqet e aksidentit. Por dyshohet se shpejtësia tej normave të lejuara mund të jetë njëri prej tyre.
60 persona të bllokuar në borë
Tre furgonë transporti pasagjerësh u bllokuan ditën e djeshme në aksin rrugor të Qafës së Malit që lidh Tropojën me Tiranën. Mjetet janë bllokuar në Qafë-Mali për shkak të trashësisë së madhe të dëborës dhe vështirësive të mëdha në qarkullim si pasojë e temperaturave të ulëta, rreth -6 gradë celsius. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes mësohet se në furgonët e bllokuar ka gra dhe fëmijë, ndërsa lëvizja është e pamundur. Rreth 60 personat që ndodhen nëpër furgonë mësohet se u mungojnë rezervat në ushqime, ndërsa temperaturat e ulëta kanë vështirësuar akoma më shumë gjendjen e tyre.
Autobusi del nga rruga
Autobusi i linjës Lushnjë-Athinë ka pësuar një aksident gjatë itinerarit të tij, për fat të mirë pa shkaktuar viktima. Sipas informacioneve, autobusi doli nga rruga për shkak të terrenit të rrëshqitshëm në një zonë rreth 15 kilometra larg qytetit të Artës. Autoritetet lokale njoftojnë se pasagjeret kanë marrë vetëm disa dëmtime të lehta dhe janë transportuar për në destinacion me një automjet tjetër.
6 Janar 2010