PKD-LDK, qeveria e Kosovës në prag të riformatimit
Dy partitë në koalicionin qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, janë në pritje të vendimit të kryeministrit Hashim Thaçi për listën e emrave të ministrave që do të largohen dhe atyre që do të rifreskojnë Qeverinë aktuale të Kosovës. Partitë partnere në koalicion janë pajtuar që të ketë një riformatim apo rifreskim të kësaj qeverie. Këto hapa të PDK-së dhe LDK-së shihen edhe si hapa që shmangin mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, pas përplasjeve të shumta që kishin dy partitë në koalicion gjatë fushatës dhe zgjedhjeve lokale. Nënkryetari i PDK-së, njëherësh zëvendëskryeministër i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë se përplasjet gjatë zgjedhjeve lokale ishin një zhvillim normal në demokraci, pasi PDK-ja dhe LDK janë dy partitë më të mëdha dhe garojnë për më shumë pushtet në nivelin lokal. Kurse, në nivelin qendror, ai thotë se qeverisja vazhdon me disa rifreskime. “Natyrisht që nevoja për rritjen e cilësisë gjithmonë ekziston, por, njëkohësisht, ekzistojnë edhe mundësitë e tilla. Ne do t’i shohim ato pika, ku ka mundësi që të përmirësohet gjendja, jo me logjikën e ndonjë revolucioni, por me logjikën e lëvizjeve të natyrshme, që do të krijojnë efektivitet dhe efikasitet më të madh qeverisës në vendin tonë”, thotë Kuçi. Në bazë të autorizimeve që ka, kryeministri ua propozon partive në koalicion ndryshimet në qeveri. Pasi të marrë aprovimin e tyre, kryeministri vendos për këto ndryshime, pa pasur nevojë për miratimin në Kuvend. Aktualisht qarkullon si opsion largimi i dy apo tre ministrave që vijnë nga radhët e PDK-së dhe po aq nga radhët e LDK-së.
6 Janar 2010