“Start 2010”, arrestohen tre persona, transportonin 20 kg Cannabis sativa
FUSHË-KRUJË – Transportonin me makinë 20 kg Cannabis sativa, arrestohen tre persona. Policia bën të ditur se ka arrestuar 19-vjeçarin Andi Stojani, banues në fshatin Bilaj të Krujës; 20-vjeçarin Spartak Cangu, banues në Verjon të Krujës dhe 33-vjeçarin Edi Brata, edhe ky banues në këtë fshat. Ata u kapën në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative në segmentin rrugor Fushë-Krujë – Tiranë, pikërisht në afërsi të fshatit Arameras. Gjatë ushtrimit të një kontrolli në automjetin tip “Honda” me targa greke NHO 3778, pronë e Edi Bratës, me të cilin udhëtonin këta tre persona, u gjet sasia prej rreth 20 kilogramë bimë narkotike e llojit Cannabis sativa.
Gjendet i vdekur 71-vjeçari, policia heton për vrasje
Lë shtëpinë e tij dhe shkon për të jetuar në fshat, por gjendet i vdekur. Ngjarja ndodhi dje në fshatin Gror, Tiranë, ku është gjetur i vdekur 71-vjeçari Shefik Grori. Sipas policisë, i moshuari ishte larguar nga banesa e tij në Tiranë që më datë 25 dhjetor të vitit 2009 dhe kishte shkuar për të jetuar te pronat e tij në fshatin Gror, ku dhe jetonte i vetmuar. Ai është gjetur i vdekur dhe menjëherë u lajmërua policia, e cila mbërriti në vendngjarje për të zbardhur rrethanat. Burime nga policia thanë se në vendin e ngjarjes shkoi menjëherë grupi hetimor i formuar për të sqaruar më tej rrethanat, motivet si dhe administruan të gjitha provat në vendngjarje, ndërsa materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “vrasjes me dashje”.
Digjen dy automjete në qendër të qytetit
ELBASAN - Dy automjete janë djegur tërësisht në qendër të qytetit të Elbasanit në ecje e sipër. Ngjarja ndodhi dje në mesditë kur një automjet me targa italiane ka marrë flakë teksa po lëvizte në bulevard. Drejtuesi i mjetit, me të diktuar zjarrin, ka dalë menjëherë nga automjeti, i cili ka shpërthyer në flakë. Flakët e zjarrit kanë përpirë edhe një tjetër mjet që udhëtonte pranë makinës që po digjej. Të dy drejtuesit e mjetit janë larguar, ndërsa kanë devijuar rrugën edhe makina të tjera. Në vendngjarje mbërritën menjëherë punonjësit zjarrfikës, të cilët, pavarësisht se bënë të mundur shuarjen e flakëve të zjarrit, makinat u dogjën tërësisht. Ndërkohë që nga hetimet e para dyshohet se flakët e zjarrit kanë qenë rrjedhojë e një shkëndije elektrike te mjeti që punonte me gaz.
21 mijë emigrantë kalojnë kufirin në 24 orët e fundit
Të paktën 21 mijë persona janë larguar nga Shqipëria nga pikat e kalimit kufitar gjatë 24 orëve të fundit. Ky lajm bëhet i ditur nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, e cila konfirmon gjithashtu se 145 mije persona janë larguar nga Shqipëria në pesë ditët e para të vitit, nga të cilët 132 mijë shtetas shqiptarë dhe 13 mijë të huaj. Një fluks prej 31 mijë automjetesh kanë dalë nga pikat doganore shqiptare me drejtim në 90% të rasteve drejt Greqisë. Ndërkohë që priten edhe rreth 60 mijë shtetas të tjerë të largohen nga Shqipëria, të cilët zgjodhën vendin e tyre për të festuar natën e Vitit të Ri dhe Krishtlindjet.
6 Janar 2010