E Diel, 1 Nëntor 2026

Ibrahimi: Pasojat e bojkotit të opozitës

Konstitucionalisti Genti Ibrahimi ka komentuar në një intervistë për "Shqip" bojkotin e Parlamentit nga socialistët. Ibrahimi ka shtuar se Kushtetuta të lë në baltë, pasi në të nuk është përcaktuar periudha kohore që një kandidat i votuar nga elektorati në zgjedhjet parlamentare, i cili ende nuk ka bërë betimin në Kuvend, të humbasë përfundimisht mandatin e deputetit. Pasi kanë kaluar 40 ditë që Partia Socialiste nuk merr pjesë në asnjë nga seancat parlamentare, vlefshmëria e mandatit të të zgjedhurve nga zgjedhësit është kthyer në një çështje interpretimi nga juristët dhe konsitucionalistët. "Nuk ka një afat të thuhet për shembull që deputeti që nuk vjen të bëjë betimin për gjashtë muaj e humbet mandatin e fituar. Por në rast se do të bashkoheshin dy pika brenda nenit 71, atëherë mund të argumentohet qoftë edhe me interpretim se afati për t‘u paraqitur në Kuvend për të mos e humbur mandatin është 6 muaj", thotë Ibrahimi.

Zoti Ibrahimi, nga 140 deputetë që përbëjnë Parlamentin, 65 prej tyre kanë bojkotuar punimet e Kuvendit. Çfarë do të ndodhë me mandatet e tyre, në rast se kjo çështje tejkalon afatet kushtetuese?

Sa herë që konfliktet politike që pasojnë zgjedhjet në Shqipëri i çojnë punët deri te mosvajtja në Kuvend e njërës palë apo tjetrës, atëherë kemi një problem përfaqësimi të munguar. Njëra palë e politikës, e cila mendon se të drejtat e saj zgjedhore janë kompromentuar për shkak të mosfunksionimit të sistemit, ose për shkak të krimit zgjedhor, refuzon të vijë në Parlament. Problemi është në radhë të parë i shqiptarëve, në radhë të dytë i qeverisë, dhe i tretë ndoshta edhe i vetë opozitës, e cila refuzon të shkojë në Kuvend. Teknikisht është e mundshme që një deputet të mos dëshirojë të shkojë në Kuvend. Të kuptohemi drejt, që zgjedhjet të japin një mandat, nuk të bëjnë ty si deputet a si grup deputetësh zëdhënës të detyruar të interesave të publikut. Nuk është e thënë që deputetët, qofshin si individë, qofshin si grup parlamentar, të shkojnë në Kuvend dhe të bëjnë thjesht zëdhënien e zgjedhësve të tyre. Deputeti ka një mandat dhe mandati i jepet atij liri veprimi për të gjykuar se cila është gjëja më e mirë për zgjedhësit. Dhe në rast se grupi parlamentar arrin konkluzionin që gjëja më e mirë për zgjedhësit është që ata të mos përfaqësohen fare në Kuvend, kjo është legjitime. Kushtetuta nuk e lidh deputetin juridikisht me zgjedhësit, natyrisht e lidh politikisht. Një deputet apo një grup parlamentar që merr vendimin të mos shkojë në Kuvend, mund të ketë vetëm pasoja politike. Natyrisht ju shtroni çështjen se çfarë ndodh me mandatet individuale të deputetëve në rast se ata në vazhdimësi nuk paraqiten në Kuvend. Unë do të thosha se për momentin që flasim ne, nuk kemi mandate, sepse Kushtetuta e bën procedurën e betimit një element të detyrueshëm për të fituar mandatin. Pra mandati fitohet përmes votës dhe konfirmimit të fitores zgjedhore nga ana e institucioneve zgjedhore, por mandati nuk quhet i marrë plotësisht pa u konsumuar procedura e betimit dhe e verifikimit të mandateve në Kuvend. Pra, sot përfaqësuesit e opozitës nuk janë deputetë. Në rast se ata do të vendosnin të shkonin në Kuvend, të bënin betimin dhe të verifikohej mandati i tyre nga komisioni përkatës i Kuvendit, atëherë do bëheshin deputetë, dhe vetëm në rast se pas këtij momenti pas gjashtë muajsh ata nuk paraqiten në Kuvend, atëherë shtrohet sërish çështja e humbjes së mandatit. Pra, për momentin ata nuk kanë mandate dhe nuk janë deputetë, dhe vetë edhe etiketimet në media për "x" dhe "y" nuk janë juridikisht të sakta. Ata nuk janë deputetë, pavarësisht se kanë marrë betimin e popullit. Është një element procedural, por që është i domosdoshëm për marrjen e mandatit.

Për të qenë më të saktë, në Kushtetutë është e përcaktuar se nëse deputeti nuk paraqitet në Kuvend për një periudhë kohore 6-mujore, atëherë atij i hiqet mandati. Çfarë do të ndodhë pas kësaj?

Unë e thashë, se ata nuk e kanë marrë mandatin. Ka dy momente Kushtetuta. Momenti i parë është që deputeti që nuk pranon të bëjë betimin, nuk e merr mandatin. Momenti i dytë është kur deputeti bën betimin dhe e ka marrë mandatin dhe nuk shkon për 6 muaj në Kuvend, atëherë ai e humbet atë. Në rastin e bojkotit nga PS, ne jemi në shembullin e parë, që deputetët nuk e kanë bërë betimin.

Kampi demokrat në fakt mund ta interpretojë Kushtetutën ndryshe nga ju. Në cilin nen është specifikuar qartë kjo çështje?

Është neni 71 i Kushtetutës, i cili thotë në pikën 2 që mandati i deputetit është i pavlefshëm kur deputeti nuk bën betimin. Pra, vërtet deputeti ka marrë mandatin nga vota e popullit, por ky mandat është bërë i pavlefshëm për shkak të mungesës së betimit. Pra, sot që flasim, nuk kemi deputetë. Kemi njerëz që kanë marrë një mandat, por ky mandat nuk është certifikuar dhe si pasojë ata nuk janë deputetë. Në rast se do të konsumohej betimi dhe ata do ta merrnin mandatin, dhe do të mungonin në Kuvend pa arsye për gjashtë muaj, kjo është pika ‘d‘ e nenit 71, atëherë atyre mandati do t`u hiqej. Pra mandati është i pavlefshëm kur deputeti nuk bën betimin, dhe rasti tjetër është kur deputeti, pasi e ka bërë betimin, mungon pa arsye për gjashtë muaj në Kuvend. Pra, situata është shumë e thjeshtë. Po të kemi 65 njerëz që kanë marrë një mandat popullor, por që këtë mandat nuk e kanë certifikuar në Kuvend, pra kemi pothuajse deputetë dhe jodeputetë.

Në fakt, nuk është e përcaktuar në Kushtetutë një gjë e tillë, por nga ana ligjore, sa afat mund të kenë "deputetët" e PS-së për të bojkotuar Kuvendin? Mund të zgjasë kjo 3-4 vjet deri në zgjedhjet e ardhshme?

Natyrisht që në këtë rast i duhet bërë thirrje konsensusit, sepse Kushtetuta në këtë rast të lë në baltë. Nuk ka një afat të thuhet për shembull që deputeti që nuk vjen të bëjë betimin për gjashtë muaj e humbet mandatin e fituar. Por në rast se do të bashkoheshin dy pika brenda një neni, pra nëse do të bashkohej pika ‘a‘ e nenit 71, e cila thotë se mandati i fituar nga zgjedhjet bëhet i pavlefshëm kur deputeti nuk bën betimin, me pikën ‘d‘ kur thuhet se deputeti e ka marrë mandatin dhe humbet mandatin nëse nuk paraqitet për gjashtë muaj, atëherë mund të argumentohet qoftë edhe me interpretim, se afati për t‘u paraqitur në Kuvend për të mos e humbur mandatin është 6 muaj. Nuk është e thënë troç, por po të bashkohen dy pika të nenit 71, mund të arrihet në konkluzionin se afati është gjashtë muaj. Kjo është çështje interpretimi dhe dikush mund të ketë një mendim të ndryshëm nga i imi.

Opozita kërkon me këmbëngulje hapjen e kutive për t‘u kthyer në Kuvend. PD-ja nga ana tjetër thotë se nuk lejon që të shkelet Kushtetuta me këmbë. Realisht, sa gjasa ka që të gjendet një kompromis dhe a është e ligjshme hapja e kutive të votimit?

Kutitë e votimit hapen. Natyrisht që në kushtet normale, pasi janë mbyllur, pasi është administruar procesi i votimit, është bërë numërimi i votave dhe kutitë janë mbyllur dhe janë vulosur, e vetmja rrugë normale për të hapur kutitë është në kuadrin e procesit ankimor në KQZ dhe në Kolegjin Zgjedhor. Për KQZ-në dhe Kolegjin Zgjedhor hapja e kutive nuk është gjë tjetër veçse një mënyrë për të provuar apo për të hedhur poshtë pretendimet e palëve. Për shembull, nuk i hapin kutitë në rast se një parti ka marrë "x" vota më shumë se një parti tjetër. Partia që ka humbur kërkon të hapen kutitë e votimit, KQZ arrin në përfundimin se në këto kuti ka më pak vota sesa diferenca e këtyre partive, atëherë nuk i hap fare. Në rastin se në ato kuti ka më shumë vota sesa është diferenca mes këtyre dy partive, atëherë KQZ duhet t‘i hapë dhe të shohë nëse ka një ndryshim rezultati. Në kushte normale, kutitë hapen në kuadrin e procedurës ankimore. KQZ dhe Kolegji Zgjedhor, për arsye të tyre që s`po i komentojë, pasi nuk jam dakord për vendimin e tyre, për të mos i hapur arritën në përfundimin që nuk duhen hapur.

A ka apo jo një mënyrë tjetër?

Unë them se po. Natyrisht që procesi i hetimit parlamentar është një mundësi tjetër për t‘i hapur kutitë e votimit.

Nisma e fundit e PS-së është mbledhja e 20 mijë votave, e barasvlershme me nismën e një deputeti. Sa efektive është kjo nismë për ta rikthyer PS-në në Kuvend?

Duke i mirëkuptuar deri në një farë mase qëllimet e PS-së, jam shumë skeptik dhe kritik në lidhje me propozimet e tyre për të bërë një ligj përmes ushtrimit të iniciativës ligjvënëse nga 20 mijë zgjedhës. Kjo më duket alogjike dhe bie ndesh me frymën e Kushtetutës. Të kërkosh që të hapen kutitë, do të thotë të merresh me çështje të administrimit të zgjedhjeve. Çdo çështje që ka të bëjë me administrimin e zgjedhjeve, duhet rregulluar në Kodin Zgjedhor. Në rast se kërkohet një formë tjetër e hapjes së kutive, përveç formës klasike në kuadrin e procesit ankimor në KQZ, atëherë kjo formë duhet patjetër të parashikohet në Kodin Zgjedhor, përndryshe kjo që propozon PS-ja është një ligj special për hapjen e kutive vetëm për këtë rast. Ligji duhet të ketë një rregullim të përgjithshëm për situata të ardhme të paparashikueshme, jokonkrete. Ky ligj që ata duan të bëjnë, nuk do të mund t‘i hapë këto kuti që kërkon të hapë PS-ja. Kjo iniciativë merr ujë nga shumë anë, sipas mendimit tim.

E.Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›