PS zyrtarizon bojkotin e zgjedhjeve të pjesshme
Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste vendosi përfundimisht dje bojkotin e zgjedhjeve të 15 nëntorit. Në këtë mënyrë, asambleja pranoi propozimin e kryesisë së kësaj partie për të mos hyrë në zgjedhjet e pjesshme lokale, për shkak të deformimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Kryetari i kësaj partie, Edi Rama, në një fjalim para se të merrej vendimi, shpjegoi arsyet e bojkotit të Parlamentit, duke u shprehur i vendosur se nëse nuk hapen kutitë, nuk ka kthim në Parlament. Nga ana tjetër, tha ai, PS-ja po mundohet që të krijojë një traditë të re në organizimin e zgjedhjeve, në mënyrë që ato të mos kontestohen. Por sipas kryetarit socialist, me Berishën nuk mund të ketë asnjëherë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Vendimi për bojkotin e zgjedhjeve të pjesshme lokale u shoqërua me kundërshtimin e deputetëve që janë pjesë e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe. Burime nga mbledhja bënë të ditur se Ben Blushi, Ylli Manjani, Artan Lame etj., kanë shprehur kundërshtimin e tyre për të bojkotuar edhe zgjedhjet. Tonet janë ngritur për shkak të ironive të përdorura në sallë. Të njëjtat burime saktësojnë se anëtari i AK-së, Artan Lame, është shprehur se po bëhet teatër politik, ndërsa Ylli Manjani është shprehur se s‘kupton përse PS "po del lart e poshtë dhe kërkon firma kur ka 65 kokrra deputetë". Në këtë moment ka ndërhyrë kreu i PS-së, Rama, dhe shumë anëtarë të tjerë të asamblesë, duke u kërkuar të mos fyejnë dhe të shpjegojë se çfarë do të thotë me fjalën "kokrra". Burimet thanë se Manjani është përgjigjur se e ka fjalën për 65 burra që do të shpejtonin nismën ligjore për transparencën e zgjedhjeve. Ndërsa kreu socialist, Edi Rama, tha se PS kërkon që zgjedhjet e 28 qershorit dhe çdo element i paligjshëm që lidhet me to të hetohet nga Parlamenti, për të mos u përsëritur më kurrë, në radhë të parë duke i hapur kutitë e votimit në sytë e gjithë Shqipërisë. "Mospranimi për të hetuar në Parlament dhunimin e zgjedhjeve, duke mos i dhënë opozitës të drejtën të hapë kutitë përpara popullit, është jo vetëm prova e frikës së madhe që ka Sali Berisha nga e vërteta, por edhe prova e së vërtetës së madhe që ne e mbrojmë dhe do ta mbrojmë pa frikë dhe pa lodhje deri në fund", tha Rama.
"Ne, vijoi ai, nuk hyjmë dhe nuk do të hyjmë në Parlament për t‘u bërë bashkëfajtorë në mbylljen e syve përpara së vërtetës dramatike të zgjedhjeve në Shqipëri dhe për mbylljen e rrugëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme për kushedi sa vjet të tjera". Rama arsyetoi se PS nuk ka iluzionin që mund të ketë nesër zgjedhje të lira dhe të ndershme me Sali Berishën në pushtet, në qoftë se sot pushteti i Sali Berishës nuk i hap rrugë hetimit të të gjithë mekanizmit kriminal që goditi lirinë dhe cenoi ndershmërinë e këtyre zgjedhjeve.
"Kush shqetësohet nga mungesa jonë në Parlament, duhet ta kuptojë se boshllëkun e mungesës përpara ligjit nuk e mbush prania jonë në Parlament, por përkundrazi e fsheh, ndërkohë që beteja jonë pa kompromis për rivendosjen e ligjit në rrugën e protestave dhe të rezistencës demokratike është një betejë për të mbrojtur parlamentarizmin, për të mbrojtur themelet e Parlamentit, idenë dhe kuptimin e Parlamentit", deklaroi Rama.