E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ibrahimi: Tre sfidat e bankave për të ardhmen

Megjithë përballimin e situatës së ndikimit të drejtpërdrejtë të krizës, sektori bankar dhe Banka e Shqipërisë duhet të përballen edhe me disa sfida të rëndësishme në të ardhmen, është shprehur zv.guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Fatos Ibrahimi. Sipas tij, së pari duhet ndjekur me kujdes ecuria e cilësia e kredisë, duke synuar që të evidentohen në kohë kreditë me probleme, të vlerësohen drejtë sipas mundësive të tyre, për t’u arkëtuar dhe të ndiqen politikat e nevojshme për rikuperimin e vlerës së kredisë brenda një kohe të përshtatshme. Së dyti, gjatë kësaj faze është e domosdoshme të forcohen sistemet e kontrollit të brendshëm në banka, jo vetëm ato që lidhen me rrezikun e kreditit, por edhe ato që sigurojnë një standard më të lartë të drejtimit të tyre. Së treti, është e nevojshme që bankat të vlerësojnë pritshmëritë e tyre për ecurinë e veprimtarisë dhe të veprojnë për të forcuar paraprakisht pozicionin e tyre të kapitalit në rast nevoje. Numri dy i bankës qendrore vlerëson se, sektori bankar dhe ekonomia shqiptare kanë nevojë që gjatë kësaj kohe të përcaktojnë dhe të ndjekin disa politika më të përshtatshme të zhvillimit, që për sektorin bankar duhet të përfshijnë vendosjen e objektivave më realiste të zhvillimit, vendosjen e çmimeve më konkurruese për produktet dhe shërbimet bankare dhe rritjen e kreditimit në monedhën vendase.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›