E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ibrahimovic refuzon Realin

Kur bëhet fjalë për merkato dhe transferime të bujshme, me Zlatan Ibrahimoviç asnjëherë nuk mund të jesh i sigurt. Gjatë karrierës së tij, suedezi ka treguar se kërkon gjithmonë sfida të reja dhe kur i paraqitet mundësia e mirë, ai nuk mendohet dy herë për të ndryshuar fanellë. Këtë e tregojnë transferimet nga Juventusi te Interi, për të luajtur më pas me Barcelonën e tashmë me Milanin.

Por, pas zërave më të fundit se Zhoze Murinjo e kërkon te Reali i Madridit, Ibra shkon kundër rrymës dhe ka nxituar të hedhë poshtë çdo hipotezë të një largimi të mundshëm. Numri 11 i Milanit nënvijëzon se dëshiron të qëndrojë me kuqezinjtë.

“Gjatë karrierës time jam përballur me shumë sfida, pork am kuptuar që kur ndihesh mirë diku, atëherë duhet të qëndrosh, ka thënë Ibrahimoviç për gazetën suedeze, ‘AftonBladet’. Milani është shtëpia ime dhe nuk mendoj të largohem, pasi këtu më duan të gjithë”.

Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, fakti që sulmuesi 30-vjeçar nuk ka ndërmend të largohet nga Milani konfirmohet nga regjistrimi që ai i ka bërë fëmijëve në një shkollë të Milanos për vitin e ardhshëm akademik e madje tashmë Ibrahimoviç do të blejë edhe shtëpi në kryeqendrën e krahinës së Lombardisë.

Por, megjithë refuzimin, Murinjo pritet të mos dorëzohet dhe për ta bindur Ibrahimoviç që të transferohet në “Santiago Bernabeu” pritet ti premtojë triumfin në Champions League, një trofe të cilin sulmuesi nuk e ka fituar asnjëherë, por edhe faktin që në këtë mënyrë lojtari mund të hakmerret për aventurën aspak pozitive te Barcelona.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›