E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ideja, Galiani mund të blejë Milanin

Milani mund të kalojë në pronësi të Adriano Galianit. Në Itali spekulohet se numri 2 i klubit ka filluar punën për të blerë kuqezinjtë nga presidenti Silvio Berluskoni. Kjo sepse situata te "Djalli" po bëhet gjithmonë e më e rëndë dhe më pak stimuluese për ata që kanë "pushtetin" dhe kontrollojnë portofolin. Kampionati i kaluar u përjetua në hije, madje në fushë ekipi dukej i "velur" nga sukseset dhe pa kurrfarë dëshire për të fituar. Edhe sezoni i ri nuk premton asgjë të mirë, të paktën duke u nisur nga situata aktuale: starti me trajneri Leonardo nuk është aspak shpresëdhënës, pas katër humbjeve radhazi në miqësore. Kontestimi nga tifozët duket qartë dhe tensioni ekziston prej muajsh. Pika më e ulët në marrëdhënien me mbështetësit u prek me parullat kundër Paolo Maldinit, pikërisht në ditën e lamtumirës së kapitenit. Shitja e Kakasë dhe largimi i mundshëm i Pirlos e ka ndezur edhe më shumë atmosferën: prezantimi zyrtar i skuadrës u shoqërua nga thirrje kundër drejtuesve. Galiani i ka hedhur poshtë këto zëra, duke deklaruar: "Lajmi është absolutisht i pabazuar. Marrëdhënia me Berluskonin vazhdon që prej vitit 1979 dhe nuk ka për të ndryshuar".

Gjithsesi, persona të afërt me drejtuesin më të lartë të Milanit pohojnë se ai është i hidhëruar për zhvillimet më të fundit dhe "ftohja" me ekipin po bëhet gjithmonë e më e dukshme. Madje, ka edhe nga ata që thonë se "Kryeministri italian synon të bëjë një jetë më të qetë", duke mos përjashtuar as "largimin nga klubi, pavarësisht se ngjyrat kuqezi mbeten pasioni i tij i madh". Berluskoni mendon të mos impenjohet më fizikisht dhe financiarisht me skuadrën. Kjo është parë edhe gjatë këtyre javëve të merkatos, ku presidenti nuk ka dëshirë të realizojë blerje të mëdha dhe të shpenzojë shifra të larta për Milanin. Gjithçka u konfirmua nga strategjia për t‘i dhënë hapësira lojtarëve nën 23 vjeç (që nuk u prit mirë nga trajneri Leonardo). Kjo e shpjegon më së miri skenarin për ndryshimin e pronësisë. Galiani, zv/president dhe administrator i deleguar po punon për blerjen e klubit nga një grup konstruktorësh izraelitë. Afrimi i financuesve të rinj do të garantonte të ardhura të reja për ekipin që ka fituar më shumë trofe në botë. Ai ka korrigjuar "planin" e shqyrtuar disa vjet më parë.

Ndërkohë, Andrea Pirlo i ka dhënë lamtumirën Milanit. Menjëherë pas miqësores të luajtur të dielën e kaluar në Boston, mesfushori kuqezi u përshëndet edhe me kolegët e miqtë që ka tek Interi, duke rrëfyer se ndeshja e humbur 2-0 ishte derbi i tij i fundit. Kjo shpjegon edhe ofertën e menjëhershme të Çelsit, e cila nuk ka ardhur rastësisht. E vetmja pengesë për akordin mes italianëve dhe skuadrës angleze të drejtuar nga Karlo Ançeloti është shifra financiare: Galiani është i kënaqur nëse afrohet sulmuesi peruan Pizarro dhe merret në formë huazimi mbrojtësi Mansen (lojtar i U-21 të Anglisë), por pretendon të fusë në arka më tepër se 15 milionë euro.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›