E Diel, 1 Nëntor 2026

Ideja e Pacollit gjen mbështetje

Kryetarë të partive politike në Shqipëri i kanë dhënë mbështetje idesë së Presidentit Behgjet Pacolli për bashkimin ekonomik të shqiptarëve në rajon. Pacolli u zotua se ideja e tij do të fillojë shumë shpejt të realizohet. Presidenti i Kosovës u nderua të martën me çmimin “Honoris Causa”. Nga Valmir Klaiqi më 23 mars 2011 në ora 11:20

Ideja e Presidentit Behgjet Pacolli për bashkim ekonomik të shqiptarëve dhe kontributi i tij i deritashëm për lobim kanë marrë të martën mbështetje nga udhëheqës të partive shqiptare.

Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Shqipëri, Presidenti i Pacolli u takua me Shpëtim Idrizin, kryetar i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU).

Idrizi shprehu mbështetjen e subjektit të tij për qasjen pragmatike dhe shumë realiste që Pacolli ka paraqitur për bashkimin kombëtar si një bashkim ekonomik, duke i shtyrë dy qeveritë në iniciativë direkte, realiste.

“Ne kemi nevojë ta shohim veten tonë si një bashkim ekonomik, si një treg të madh të shtatë milionë shqiptarëve. Zoti Pacolli, edhe me eksperiencën e tij, po i shtyn të dy qeveritë tona që këtë ta shohin në mënyrë të strukturuar”, tha ai.

Ndërsa, Presidenti Pacolli, pas takimit me Idrizin tha se idenë e tij, Kosova nuk do ta lërë vetëm në fjalë, por do të fillojë punë intensive.

“Ne do të formojmë një grup, i cili do t’ia fillojë punës që tani dhe besoj se deri te takimi tjetër ne do të kemi rezultatet e para të formimit të një tregu të gjerë, që del jashtë kufijve të Shqipërisë, jashtë kufijve të Kosovës, por pse të mos përfshihen në këtë edhe bashkatdhetarët tanë edhe në Maqedoni, edhe në Mal të Zi”, tha ai.

Kreu i shtetit ka pasur të martën një takim edhe me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Ilir Meta, me të cilin diskutoi për një varg temash të rëndësishme për bashkëpunimin në mes të dy vendeve, por edhe për projektet e përbashkëta dhe vazhdimin e punës për sigurimin e sa më shumë njohjeve për Kosovën.

“Unë besoj se kjo detyrë e re dhe shumë e lartë është një mundësi e shkëlqyer për Presidentin Pacolli për të çuar më tej kontributin e tij, i cili ka qenë mjaft i ndjeshëm edhe më parë në procesin e njohjes së Kosovës, pasi konsolidimi i pozitës ndërkombëtare është një prioritet i jashtëzakonshëm, ashtu sikur edhe vizioni i tij për ekonominë, besoj se do të ndihmojë shumë në zhvillimin ekonomik jo vetëm të Kosovës, por edhe në zhvillimin ekonomik të të dy vendeve”, tha Meta, duke shtuar se LSI’ja mbështet politikën e Presidentit të Kosovës dhe të Qeverisë.

Edhe Presidenti Pacolli vlerësoi lart punën e ish-ministrit Meta për afirmimin e shtetit të Kosovës dhe njohjet. Pacolli e ka ftuar Ilir Metën për vizitë në Kosovë për të biseduar për shumë punë të pakryera, që janë nisur gjatë kohës sa Meta ishte ministër i Jashtëm.

“Kemi shumë punë për të kryer dhe puna e Metës për njohjet është shumë e rëndësishme. Jam i sigurt se zoti Meta, me energjinë e tij, me vullnetin e madh, do të përballojë çdo sfidë në mënyrë të suksesshme. Bashkëpunimi me të do të jetë shumë i madh. Ne e vlerësojmë shumë punën që ka bërë për Kosovën dhe besoj se ky aktivitet do të vazhdojë edhe më tej”, tha Pacolli.

Pas këtyre takimeve, Presidenti Pacolli bashkë me delegacionin shtetëror vuri kurora lulesh para Monumentit “Nënë Shqipëri”, në Tiranë, për të vazhduar pastaj tek Universiteti Europian i Tiranës, i cili e nderoi me çmimin “Honoris Causa”.

Në ceremoni ishin të pranishëm Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ish-presidentët Alfred Moisiu e Rexhep Meidani, ministra të Qeverisë së Shqipërisë e të Kosovës, profesorë, studentë e mysafirë të tjerë.

Pas marrjes së çmimit, Pacolli mbajti një fjalim para të pranishmëve ku u tregoi atyre rrugëtimin e tij deri tek arritja në Postin e Presidentit të Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›