PE, Pitella: Ruzhdia, rast i frikshëm i manipulimit
Zëvendëspresidenti i parë i Parlamentit Europian, Giovanni Pitella, shprehu dje mbështetjen e tij dhe të Partisë Demokratike italiane për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet në Shqipëri. Pas një takimi që pati me kreun socialist, Edi Rama, Pitella shprehu mendimin e tij në lidhje me zhvillimet politike në vend dhe kërkesën e vazhdueshme të opozitës për të garantuar transparencën e zgjedhjeve. Duke iu referuar rastit të Ruzhdies për të cilin socialistët insistojnë se është një rast tipik se si janë bërë manipulimet në zgjedhje, Pitella tha se provat që janë paraqitur janë të frikshme. “Ne e mbështesin përpjekjen e madhe inovatore që po kryen Edi. Përpjekjen për europianizimin e Shqipërisë. Europianizimi i Shqipërisë do të thotë të krijohen kushtet legjislative, të krijohen kushtet normative, të krijohet transparenca maksimale”, tha Pitella. Ai vuri në dukje se beteja e Edi Ramës për liberalizimin e vizave është një betejë që nëse e fitojmë do të lejonte që Shqipëria të hynte në Bashkimin Europian, sepse Shqipëria nuk mund të hyjë në Bashkimin Europian, Shqipëria nuk mund të bëhet një komb europian nëse vazhdojnë të mbahen kufizimet e vizave, kufizimet në lëvizjen e personave.
“Mund të dilet nga kriza?! Pa dyshim që mund të dilet. Mund të dilet dhe e konsideroj si shumë të përgjegjshme vendimin e Partisë Socialiste Shqiptare për të hyrë në Parlament, por ama ka nevojë për qartësi, ka nevojë për transparencë, sepse zgjedhjet duhet të jenë të pastra, dhe nuk duhen prekur nga asnjë lloj mashtrimi. Atëherë të mos shohim nga e shkuara, por të shohim drejt të ardhmes dhe të krijohen ato situata e kushte që do të lejonin që zgjedhjet e ardhshme të jenë zgjedhje mbi të cilat nuk rëndon asnjë dyshim”, deklaroi ai.
Duke u ndalur te rasti i Ruzhdies, Pitella pohoi se është njohur me informacionin dhe mendon se është më tërë mend e frikshme. “Aty përshkruhen rastet, jo një e dy raste, por dhjetëra e dhjetëra situata në të cilat ka persona që rezultojnë të kenë votuar, por që nuk ishin të pranishëm në atë moment dhe në atë vend. Ka pasaporta që rezultojnë të jenë kontrolluar me numrin në procesverbalin e zgjedhjeve, por në fakt, personat që kishin ato pasaporta deklarojnë se nuk kanë votuar. Pra, me një fjalë ka prova të pakundërshtueshme që tregojnë se ka pasur mashtrim. Dhe këto mashtrime vijnë si pasojë e korrupsionit”, deklaroi Giovanni Pitella. Ai vuri në dukje se nëse duhet t’u jepet fund këtyre gjërave atëherë duhet të ngrihet një komision hetimor, që të vërtetojë kush ka gabuar, qofshin këta të së majtës apo të së djathtës kjo nuk ka rëndësi. “Ka rëndësi të gjenden përgjegjësit dhe të parandalohet që kjo të ndodhë edhe në të ardhmen. Duhet t'u ju japim qytetarëve sigurinë që kur shkojnë për të votuar, shkojnë për të votuar në një sistem politik e demokratik në të cilin vota e tij ka vlerë”, nënvizoi drejtuesi i PE-së.
#