E Shtunë, 31 Tetor 2026

Identifikohen dëshmitarët, hetimi në pritje të FBI

Tiranë- Në pritje të ekspertëve të tjerë të FBI-së dhe ATF-së, të cilët paraprakisht janë konfirmuar se do të mbërrijnë në ndihmë të prokurorisë për ngjarjet e 21 janarit, përfaqësues të Ambasadës Amerikane kanë nisur nga puna për shqyrtimin e provave të mbledhura nga hetimi i deritanishëm. Burime të rezervuara pohojnë se fillimisht, përfaqësuesit e ambasadës kanë kërkuar të njihen me filmimet e mediave dhe të policisë, për atë që ndodhi pasditen e 21 janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Të gjitha materialet filmike që ka siguruar organi i akuzës u janë vënë në dispozicion ekspertëve, të cilët po analizojnë me detaje të gjithë elementet që shfaqen në video. Studimi i akteve dhe dokumenteve të mbledhura nga hetimi i deritanishëm është një tjetër kërkesë e ekspertëve, të cilët në përfundim të kësaj faze pritet të japin një version të tyrin për ngjarjen, por njëherësh dhe të caktojnë çështjet që kanë nevojë për hetim të mëtejshëm, apo kryerjen e ekspertimeve të tjera. Nga ana e saj, prokuroria, e cila ka angazhuar të paktën 5 prokurorë për hetimin e vrasjes së tre demonstruesve, ka nxjerrë disa çështje të rëndësishme për ekspertët amerikanë, të cilat duhet të trajtohen në mënyrë të detajuar nga ana e tyre për të arritur në një rezultat konkret. Por përveç bashkëpunimit me ekspertët e huaj, të cilët pritet të kompletohen në një grup të posaçëm hetimor pas pak ditësh, prokurorët shqiptarë vazhdojnë të kryejnë procedurat normale të hetimit. Edhe ditën e djeshme hetuesit dhe prokurorët e çështjes kanë vazhduar me identifikimin e demonstruesve, të cilët do të shërbejnë edhe si dëshmitarë për tre vrasjet dhe plagosjet që dyshohet se janë shkaktuar vetëm nga të shtënat që kanë ardhur nga armët e dy gardistëve të vendosur me shërbim në pjesën veriore të Kryeministrisë. Dëshmitarët e pyetur deri tani kanë konfirmuar para prokurorëve se kanë qenë gardistët ata që kanë qëlluar në drejtim të tyre. Për vrasjet e Hekuran Dedës dhe Ziver Veizit, prokuroria ka në dispozicion pamje filmike, të cilat janë konfirmuar edhe nga dëshmitarët e pranishëm në momentet e vrasjes së tyre. L.Bakillari

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›