E Diel, 1 Nëntor 2026

Katër qarqet që do të përcaktojnë fatin e zgjedhjeve në Kolegjin Zgjedhor

Ditën e martë zhvillohet mbledhja e parë e Kolegjit Zgjedhor

Eljona Ballhysa
Ditën e martë do të zhvillohet mbledhja e parë e Kolegjit Zgjedhor në të cilën do të shqyrtohet ankimimi i Partisë Demokratike për qarkun e Fierit. Në Kolegjin gjedhor janë depozituar ankimimet e katër partive që lidhen me rezultatin e katër qarqeve të vendit. Kolegji Zgjedhor do të ketë në dorë fatin e zgjedhjeve në qarqe të rëndësishme të vendit, si në Tiranë, Fier, Shkodër dhe Berat. Pas KQZ-së tashmë e gjithë vëmendja e faktorëve politikë do të përqëndrohet pikërisht tek puna e Kolegjit Zgjedhor. Nuk mund të thuhet se ky institucion në këtë periudhë nuk do të jetë nën presionin e politikës. Madje burimet kanë bërë të ditur se faktori ndërkombëtar në Shqipëri ka marrë kontakte dhe ka zhvilluar takime me anëtarë të Kolegjit Zgjedhor për të marrë informacion përsa i përket presionit politik. Megjithatë, puna e këtij institucioni nis, pikërisht me fillimin e javës, ndërsa ka përcaktuar zhvillimin e dy seancave të para.
Ankimimet
Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë ditën e martë kërkesën e parë ankimore, duke nisur me qarkun e Fierit e duke vijuar një ditë më vonë, të mërkurën, me qarkun e Beratit. Pas mbërritjes së kërkesave të para ankimore nga tre subjekte politike, Kolegji Zgjedhor përcaktoi datat konkrete të shqyrtimit të tyre. Kështu, më datën 21 korrik nis shqyrtimi me qarkun e Fierit dhe më 22 korrik me kërkesën ankimore të PS-së për qarkun e Beratit.
Për qarkun e Fierit ka depozituar ankimim edhe Partia për Drejtësi dhe Integrim të cilët pretendojnë mandatin e dytë në këtë qark. Kërkesat e këtyre dy partive, pra të PD-së dhe të PDI-së janë bashkuar dhe relatore është caktuar gjyqtarja Entela Prifti, dhe pritet që ky proces të fillojë të martën, më datë 21 korrik, në orën 10 paradite.
Partia Demokratike ka bërë dy ankimime, që të dyja për Fierin. Në njërin prej ankimimeve demokratët kërkojnë që KQZ-ja të shpallë të pavlefshme zgjedhjet në tre qendra votimi të Fierit ku nuk u votua fare më 28 qershor.
Ankimimi tjetër i demokratëve kundërshton vendimin e KQZ-së për shpalljen e rezultatit të përgjithshëm për Fierin. Kërkesa është e njejtë me kërkesën e bërë edhe nga partia e çamëve, për Drejtësi dhe Integrim, të cilat do të shqyrtohen bashkë.
Socialistët
Ndërsa Partia Spocialiste ka paraqitur katër ankimime në Kolegjin Zgjedhor, për Fierin, për Shkodrën, për Tiranën dhe për Beratin. PS-ja kundërshton ankimin e PD-së për përfshirjen në rezultatin përfundimtar të Fierit dhe rezultatin e kutive të fshatit Ruzhdie. Kjo kërkesë e tyre do të relatohet nga gjyqtarja Dhurata Haveri, që është njëkohësisht anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ndërkaq socialistët kanë paraqitur ankimin për Beratit ku kundërshtojnë vendimin e KQZ-së për mos numërimin e kutive të votimit dhe mos rivlerësimin e fletëve të pavlefshme të votimit të në këtë qarkt. Kërkesë të ngjashme për qarkun e Beratit pritet të paraqesë në Kolegjin Zgjedhor edhe G99. Data për shqyrtimin e ankesës së Partisë Socialiste për Beratin është fiksuar 22 korriku. Socialistët kanë ankimuar edhe Shkodrën, dhe Tiranën, ndërkohë që për Durrësin është depozituar një kërkesë nga Partia Konservatore. Sipas Kodit Zgjedhor, vendimet e Kolegjit Zgjedhor janë të formës së prerë. Kolegji përbëhet nga 8 gjyqtarë të gjykatave të apelit të zgjedhur me short, të cilët betohen para presidentit. Ata e ushtrojnë detyrën e tyre deri në përfundim të legjislatures së ardhshme.

PBDNJ, Solis: “Nuk pendohemi që nuk bëmë koalicion me PD-në”

Ish-deputeti i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Leonard Solis, gjatë një prononcimi për mediat, është shprehur se nuk pendohet për refuzimin e ftesës së Berishës për të qenë pjesë e qeverisë. Solis është shprehur se këtë vendim e kanë marrë strukturat e partisë dhe është vendim unanim dhe përfundimtar. “Nuk ndjemë pendesë, sepse i pyetëm strukturat e partisë, bëmë përshtatjen me kodin dhe është vendim që nuk është anashkaluar nga asnjë strukturë. Jemi të ngushëlluar që jemi në parlament”, - është shprehur Solis. Përsa i përket ftesës së bërë nga Berisha, ish-deputeti i PNDNJ-së e ka cilësuar nder që i është bërë partisë së tij, ndërsa ka theksuar se janë strukturat ato që marrin vendime. “Ftesa është nder që na bëhet si parti, por jemi kompakt dhe do pyesim gjithë strukurat tona”, - është shprehur Solis, i cili ka shprehur rezerva përsa i përket bashkëpunimit të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut me Partinë Socialiste. Madje, ai e ka cilësuar këtë bashkëpunim, një incest elektoral. “Koalicioni me PS-së ishte incest elektoral, një amoralitet gjatë fushatës, ka qenë koalicioni më i pasinqertë”, - është shprehur Solis, ndërsa ka kritikuar mënyrën e drejtimit të PS-së nga Edi Rama. “Nuk më ka pëlqyer Rama. Ka arbitratitet në PS nën drejtimin e tij. Nëse vazhdon në krye të PS-së, Rama do ishte prehë e lehtë për Berishën”, - është shprehur Solis, i cili ka kritikuar Kodin Zgjedhor për diskriminimin që u bëri partive të vogla. Për shkak të Kodit Zgjedhor, PBDNJ-ja do të përfaqësohet në Kuvendin e ri vetëm me një deputet, me kryetarin e saj, Vangjel Dulen. “Këto janë zgjedhje të ndryshme të krahasuar me të mëparshme, sepse diskriminohen partitë e vogla”, - argumentoi ai.

ISKSH jep shpërblime për punonjësit e qendrave shëndetësore

Punonjësit e qendrave shëndetësore në të gjithë vendin kanë përfituar këto ditë deri në një pagë mujore shpërblim për 6-mujorin e parë të vitit, nisur nga treguesit e mirë të performancës. Drejtoresha e Përgjithshme e ISKSH-së, Elvana Hana, tha dje se “ISKSH është e vendosur të vijojë politikën e stimulimit të stafit mjekësor bazuar në punën dhe performancën e tyre, duke patur në këtë mënyrë në fokus pacientin dhe shërbimin ndaj tij”. Ky shpërblim i mesvitit, nga i cili përfitojnë rreth 9 mijë vetë personel shëndetësor është shpërndarë tashmë në mbi 200 qendra shëndetësore në vend dhe është në proces shpërndarjeje në qendrat e tjera. Nga shpërblimi përfitojnë mjekët e familjes, mjekët specialistë, infermirët dhe i gjithë personeli mbështetes. Brenda buxhetit të përcaktuar nga ISKSH për qendrat shëndetësore, vetë qendrat kanë patur mundësi të shpërndajne deri në 1 pagë mujore, sipas realizimit të treguesve të performancës per çdo qendër. Paga për mjekët në shërbimin shëndetësor parësor varion nga 46.000 lekë në 78.000 lekë, ndërsa për personelin tjetër infermier, sanitare dhe shoferë varion nga 22.000-28.000 lekë. Fondi në total i akorduar nga ISKSH në buxhetin e qendrave shëndetësore për shpërblimin e 6-mujorit është 290 milionë lekë.

20 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›