Operacioni “Shengen” vë nën pranga katër persona për falsifikime
Pas një hetimi disa mujor në kuadrin e operacionit “Shengen”, forcat e policisë së Prishtinës kanë identifikuar dhe më pas, arrestuar 4 persona, të cilët dyshoheshin se merreshin me trafikim njerëzor, falsifikim të vizave dhe dokumenteve zyrtare. Burime policore thanë se një nga rrugët që ata përdornin për trafik ishte edhe Shqipëria. Sipas të dhënave për gazetën “Albania” hetuesit kanë arritur të grumbullojnë provat e nevojshme lidhur me veprat penale e përmendura dhe në kuadër të tyre kanë ndërmarrë dy kontrolle të befasishme, njërin në rrugën “Ismajl Qemali” në Prishtinë dhe tjetri në fshatin Papaz të Ferizajt. Gjatë kontrollit të banesave të të dyshuarve, forcat e policisë kanë mundur të konfiskojnë 3 pistoleta të llojit Beretta 6.35 mm, 7 letërnjoftime,3 kërkesa për viza, 10 pasaporta të ndryshme, disa formularë për aplikim për punësim, 2 letra të zbrazëta por të vulosura, 6 certifikata lindje, 2 kontrata pune, 3 dosje me polisa të sigurimit dhe 1 vulë.
25 Maj 2009