E Shtunë, 31 Tetor 2026

Identifikohet kufoma e vajzës së gjetur, dyshohet të jetë helmuar

13/06/2011  Viktima Rolanda Kaja, 29 vjeç, e divorcuar me 2 fëmijë

DURRES- Është identifikuar kufoma e gjetur në Ishëm. Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit ka deklaruar se femra e gjetur e vdekur në anë të rrugës Ishëm-Lalëz quhet Rolanda Kaja, një grua e divorcuar e moshës 29 vjeç. Kaja është identifikuar dy ditë pasi trupi i saj është dërguar në laboratorin e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë. Nuk dihet se cilat kanë qenë rrethanat se si është gjetur kjo vajzë në një zonë krejt të shmangur nga qendrat e mëdha urbane si Durrësi e Tirana dhe në një vend pa lokale nate. Ekspertët e Mjekësisë Ligjore kanë thënë se ajo nuk rezulton e dhunuar fizikisht, ndërsa dyshimet mund të shtyjnë grupin e hetimit të hetojë lidhur me ndonjë mundësi helmimi të qëllimtë. Shtetasja Rolanda Kaja është e lindur në fshatin Kryevidh të Kavajës, por prej 3 vitesh kishte marrë me qira një apartament në Plazhin e Durrësit. Shkak për t’u larguar nga familja ishte divorci. 29-vjeçarja kishte dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë. Vajza është 8 vjeçe dhe pas ndarjes së prindërve jeton tek shtëpia e gjyshit, kurse djali i çiftit të ndarë është 5 vjeç dhe është nën kujdestarinë e të atit. Divorci sipas policisë është bërë konform ligjit dhe kjo lë fare pak dyshime për t’u pyetur ish burri lidhur me vdekjen e parakohshme të Kajës. Varrimi i 29-vjeçares është bërë dje në zonën e thellë të Kavajës dhe sipas burime të sigurta kortezhi ka qenë me fare pak njerëz për shkak të të kaluarës së vajzës. Kjo femër është deklaruar e zhdukur më datë 5 qershor të këtij viti, ndërsa është gjetur e vdekur më datë 10 qershor në orët e mbrëmjes në anë të rrugës Ishëm-Lalëz. Kjo rrugë të shpie në bregdetin verior të Durrësit për në Shën Pjetër dhe Gjirin e Lalëzit, por nuk mund të përshkohet në këmbë ngase nga Plazhi e deri në vendin ku është gjetur trupi pa jetë është më shumë se 45 km. Në çastin kur është gjetur rastësisht nga banorët e zonës, Kaja ka qenë e veshur me rroba të lehta, ndërsa në trup nuk i janë gjetur shenja dhune. Policia ka hapur një dosje më vete për hetimin e vdekjes së saj dhe pritet të thirren në pyetje disa persona. Tani është bërë e mundur identifikimi i strehës ku ka qëndruar kjo femër për muaj të tërë, si dhe lokalet ku ka punuar. A. Damini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›