E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turizmi kërkohet hapja e një qendre të trashëgimisë kulturore

13/06/2011  Pritet fillimi i investimit të BE për Via Egnatia dhe mozaikun

ELBASAN- Gjatë katër viteve të fundit në qytetin e Elbasanit është katërfishuar numri i turistëve dhe vizitorëve. Sipas drejtorit të Muzeut Etnografik, Kreshnik Belegu, vetëm për këtë objekt të trashëgimisë kulturore numri i vizitorëve është katërfishuar dhe ajo që bën përshtypje shumica e tyre janë turistë perëndimor. Z. Belegu thotë se numri i vizitorëve mund të dhjetëfishohet nëse edhe bileta e hyrjes bëhet e njëjtë me atë të qytetarëve shqiptarë. Sipas drejtorit të Muzeut Etnografik, në këtë qytet Bashkia Elbasanit ka bërë përpjekje për promovimin e turizmit, duke marrë pjesë në të gjithë panairet që janë zhvilluar për turizmin. Megjithatë, është konstatuar se shumë nga agjencitë nuk kishin asnjë informacion për akomodimet që mund t’u bëheshin turistëve të huaj në Elbasan. Bashkia Elbasan ka kohë që ka botuar edhe guidën turistike. Padyshim qendra historike e përbërë nga kalaja dhe objektet e trashëgimisë kulturore të klasit të parë siç janë kisha Shën Maria, Xhamia Mbret, kalldrëmet dhe banesat karakteristike mbetet mjaft tërheqëse për vizitorët. Sipas z. Belegu, Elbasani në bashkëpunimin me Ministrinë e Kulturës me fonde të akorduara nga Bashkimi Evropian prej 1.2 milionë euro do të ndërmarrë një investim të madh për trashëgiminë kulturore. Nëpërmjet këtij fondi do të bëhet shtrimi i rrugës Egnatia përmes Kalasë në bazë të studimit të arkitektëve të huaj. Ndërkohë 200 mijë euro do të përdoren për mozaikun për mbulimin e tij me xham. Me një fond prej 20 mijë eurosh pritet që të zbulohet krejtësisht mozaiku. Sipas specialistëve të kulturës në Elbasan, me realitetin e ri turistik shqiptar është e nevojshme që të ndërthuren turizmi bregdetar me atë malor historik e kulturor. Elbasani është një shembull tipik i këtij turizmi për shkak të historisë së tij, vijës Egnatia, bukurive natyrore dhe folkut që ka. Sipas z. Kreshnik Belegu në Elbasan, tashmë është e nevojshme që të ketë një drejtori të posaçme të Trashëgimisë Kulturore, një kërkesë që diktohet nga nevojat për më shumë njohje, informacion, promovim dhe zhvillim të turizmit në këtë trevë. “Do ishte mirë sepse ne kemi 14 deputetë të lobohej që Elbasani të ketë qendrën e tij të Trashëgimisë Kulturore. Kjo zonë me kaq shumë pasuri kulturore e meriton këtë gjë dhe të gjithë bashkë duhet të lobojmë për të bërë të mundur që kjo gjë të ndodhë dhe ne të kemi gjithashtu një muze dhe një organizim më të mirë ndoshta në Bashki ose në qark për turizmin. Do ishte mirë të kombinohej natyra me turizmin kulturor dhe këtë mund ta bëjë një qendër e tillë aq e nevojshme”. Deri më tani Elbasani është frekuentuar më shumë nga turistë ditorë, ndërkohë që agjencitë turistike mund të planifikojnë guida për vizitën e pikave turistike, objekteve të artit e kulturës si kalanë, mozaikun, muzetë, kishat e Onufrit, xhamitë mesjetare, ujëvarën e Sotirës, shpellat e Holtës, parkun Shebenik-Jabllanicë etj. L. Lleshi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›