Identifikohet viktima e gomones
VLORE/ QEMAL BIRAKU
Trupi i pajetë i gjetur në ujërat kroate i përket 38-vjeçarit Jani Golaj. Pas një sërë sorollatjesh prej procedurave të këtij shteti, familjarët kanë identifikuar viktimën e tragjedisë së gomones. Ndërkohë që ende nuk dihet fati i vëllait të madh, Spiro Golaj. Gjatë gjitë ditës së djeshme, dy familjarë që mundën të pajiseshin me vizë nga ambasada dje, Njazi Golaj dhe shoku i tij, Hektor Harizi pohonin se nuk mundeshin të hynin në morg, veprim që e kanë realizuar vetëm në mbrëmje. Me ankth njerëzit e tyre kanë pritur që ata t’u telefonojnë për të mësuar se viktima është e njërit prej vëllezërve Jani e Spiro Golaj apo jo. Gjatë kontaktit telefonik të kryer me ta, dy personat janë shprehur se që në orët e para të mëngjesit ishin në dyert e spitalit tw Dubrovnikut ku ndodhet kufoma, me qëllim për të identifikuar trupin pa jetë që është gjetur nga policia kroate, por nuk janë lejuar prej stafit të këtij spitali. Shkaku sipas tyre ka qenë se nuk ndodheshin me familjarët personat kompetentë, për t’i shoqëruar në dhomat e morgut të spitalit. Dy personat që gjenden në Kroaci për identifikimin e trupave, pavarësisht se kanë kërkuar takim apo shoqërim prej përfaqësuesve të ambasadës shqiptare në këtë shtet, i kanë akuzuar ata për mosmbështetje. Ndërkohë që dy të afërmit e viktimave janë shprehur se do të ndërmarrin vetë një operacion kërkimi në zonën ku u gjet gomonia si dhe trupi i parë, pasi sipas tyre operacioni nga ana kroate është ndërprerë. Këtë kërkesë ata e kanë bërë shpeshherë nëpërmjet telefonatave me të afërmit, të cilët kërkonin që të gjendej ndonjë mundësi për kontaktimin e ambasadës shqiptare, por deri në orët e pasdites nuk pati asnjë njoftim. Sipas familjarëve, pak pas mesdite, Njazi Golaj dhe shoku i tij, janë shoqëruar për në rajonin e policisë së qytetit kroat, ku gjenden, dhe nga aty kanë nisur një mesazh të afërmve të tyre. “Ju lutem, njoftoni ambasadën të vijë sa më parë”, kanë pohuar ata nëpërmjet telefonit celular. Pas këtij mesazhi, telefoni i tyre, i hapur dhe për thirrje ndërkombëtare, ka rezultuar i fikur. Vetëm në orët e vona ata kanë mundur të hyjnë brenda morgut, duke konfirmuar lajmin e rëndë, se vëllai i tyre ishte personi i pajetë. Pas kësaj ata kanë bërë thirrje që shteti shqiptar t’i ndihmojë për të sjellë trupin e viktimës.
Fati i Spiro Golajt nuk dihet ende, ndërsa deri tani i vetmi i mbijetuar i tragjedisë është Romeo Purizi, i cili vazhdon të mbahet nën mbikëqyrje në një prej spitaleve kroate.