Bashkia nis rikonstruksionin e shtëpisë së nënë Feridesë
FIER - Bashkia kontribuon me rikonstruksionin e shtëpisë së vjetër të 75-vjeçares Feride Bako dhe 2 nipërve të saj jetimë, banues në fshatin Mbyet në Fier. E moshuara, e cila është dënuar me 5 vjet heqje lirie për kultivim të lëndëve narkotike, vuan tashmë dënimin në burgun e grave në Tiranë. Qysh prej 2 javësh ka filluar rindërtimi i shtëpisë së tyre të lënë përgjysmë. Të gjitha shpenzimet për ndërtimin e saj janë marrë përsipër nga Bashkia e qytetit të Fierit. Ndihma për 2 fëmijët, djemtë e djalit të saj të vdekur, ka ardhur pas premtimit që kreu i Bashkisë Fier, Baftjar Zeqaj bëri kur 75-vjeçarja Bako u lejua të festonte vitin e ri me nipërit e saj. Vëllezërit Xhemal dhe Sokol Bako, 15 dhe 13 vjeç janë shprehur entuziastë për këtë ndryshim, por nuk lënë mënjanë edhe shpresën se e vetmja gjë e mirë ose dhuratë që mund t’u bënte shteti, është që të lirojnë gjyshen e tyre, pasi ata janë ende minorenë dhe kanë nevojë për mbështetjen e saj. Ata i bëjnë apel Presidentit të Republikës, Bamir Topi, të ndërhyjë për faljen e saj, pasi nuk kanë njeri tjetër që t’u qëndrojë pranë. m.r