E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Identiteti multietnik kosovar” si ide majtiste

Në vazhdën e diskutimeve për identitetin nacional të Kosovës, përkatësisht diskutimeve mbi të ashtuquajturin “identitet kosovar”, është bërë tejet dominante shprehja “Kosova multietnike” apo “identiteti multietnik kosovar”, përmes së cilës po synohet të shprehet kinse identiteti i ri nacional i Kosovës. Kjo tendencë e pohimeve se po krijohet një identitet i ri kosovar është rritur sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa në vazhdimësi nuk ka munguar edhe mbështetja nga institucionet qeveritare të Kosovës. Mbështetësit e kësaj “shpikjeje”, argumentimin e tyre e mbështesin në atë se, me krijimin e shtetit të Kosovës natyrshëm duhet të krijohet edhe “kombi i Kosovës”, pra “kombi kosovar”. Por, sa qëndron ideja e “kombit kosovar” teorikisht, praktikisht e logjikisht dhe çka përfaqëson ajo në të vërtetë?!
Duhet theksuar se procesi i kombformimit ka filluar të realizohet në shekujt XVIII/XIX (sipas pikëpamjes moderniste mbi kombin) dhe më së voni procese të tilla janë realizuar në fillim të shekullit XX, prandaj ideja e formimit të kombeve të reja sot në fillim të shekullit XXI, është krejtësisht jologjike dhe ahistorike. Në këtë kontekst edhe procesi i formimit të kombit shqiptar ka filluar dhe ka mbaruar në këtë logjikë kohore. Megjithatë, kombet të cilat nuk arritën në këtë periudhë të realizojnë aspiratën e tyre për pavarësi kombëtare, përkatësisht të krijojnë shtetin e tyre kombëtar, apo siç është rasti me kombin shqiptar, i cili nuk arriti që tërë pjestarët e vet t’i përfshijë brenda shtetit kombëtar, vazhduan edhe gjatë shekullit XX e tutje të jenë në procesin e komb-bashkimit apo komb-konsolidimit. Pra, krijimit i shtetit kombëtar, realizimin i pavarësisë kombëtare dhe proceset e komb-bashkimit e komb-konsolidimit përbëjnë atë që Ernest Gellneri e quan realizim të parimit të Nacionalizmit. Përmes nacionalizmit kombet synojnë realizimin dhe garantimin e ekzistencës së tyre, por kjo nuk do të thotë që një gjë e tillë të synohet përmes cenimit të ekzistencës së kombeve të tjera, megjithatë vetëm duke e realizuar parimin e nacionalizmit kombet kanë arrituar të shënojnë ekzistencën e esencës së tyre dhe vetëm atëherë ato janë të gatshme të shkojnë në proceset të tjera interguese e globalizuese.
Në këtë kontekst, ideja e Kosovës së pavarur e themeluar nga elita intelektuale/politike shqiptare e viteve ’90 në krye me Rugovën, Aganin, etj., synonte që përmes krijimit të shtetit të Kosovës të realizonte/konkludonte një proces të gjatë politik/historik të konsolidimit/garantimit të esencës së kombit shqiptar të mbetur jashtë Shqipërisë. Pra, ideja e shtetit demokratik shqiptar të Kosovës ishte realizim i parimit të nacionalizmit shqiptar, pra të garantimit të identitetit shqiptar të Kosovës, të cënuar nga Serbia/Jugosllavia. Gjithashtu, duhet kuptuar që krijimi i njësisë së dytë politike nuk do të thotë domosdoshmërisht edhe krijim të identitetit të ri nacional. Shqiptarët kanë qenë njësi politike edhe në Jugosllavi (si krahinë autonome) dhe synimi i tyre për të avancuar statusin e njësisë së tyre nuk ka nënkuptuar edhe tendencë të krijimit të ndonjë identiteti tjetër nacional e kulturor, por në fakt ka synuar garantimin dhe konsolidimin e këtij identiteti. Kosova e pavarur si realizim i aspiratës nacionale të shqiptarëve, pra si shtet i dytë nacional, ka qenë i sanksionuar edhe në aktet politike/juridike historike të miratuara në periudhën e viteve ’90 e të rikonfirmuara me rezoluta nga institucionet e Kosovës në periudhën e pas luftës, nën udhëheqjen e Rugovës. Pra, në periudhën kur Kosova udhëhiqej nga ajo që njihet si elitë e djathtë/demokratike (deri me vdekjen e Presidentit Rugova), çështja e identitetit nacional të Kosovës ishte e qartë. Me vdekjen e Rugovës (i konsideruar lider nacional historik i shqiptarëve të Kosovës), përkatësisht me ardhjen në pushtet të asaj që njihet si elitë militante (udhëheqësit kryesor të UÇK-së) të udhëhequr nga Hashim Thaçi, ideja e Kosovës së pavarur nuk nënkuptonte më realizimin e parimit nacionalist shqiptar, për faktin se ai që nga momenti kur u zgjodh kryeministër (Thaçi), në vazhdimësi e ka promovuar idenë e “Kosovës multietnike” ekskluzivisht jonacionale shqiptare. Mbeshtetja dhe promovimi që Thaçi u ka bërë simboleve shtetërore të Kosovës (në thelb tejet jo përfaqësuese për popullin e Kosovës) dhe diskursi i tij politik krejt antinacional shqiptar (kur ai flet vazhdimisht per shtetin multietnik kosovar) e shton tërësinë e argumenteve që çojnë në klasifikimin e Thaçit si politikan historikisht majtist. Konceptet “shtete multietnike” apo “shoqëri multietnike” janë parime tipike socialiste të cilat moderniteti i ka definuar si joefikase. Në këtë kuadër hyjnë konceptet e shoqërive proletare e të “barabarta” apo kombet e llojit sovjetik e jugosllav, të cilat u dëshmuan si të dështuara dhe shkaktuan shumë vuajtje për kombet që u detyruan t’u nënshtrohen.
Pra, moderniteti është i dedikuar të jetë konsolidues i shteteve nacionale, optimalisht/racionalisht demokratike, pra jo totalitare ndaj pakicave kombëtare, ndërsa teorikisht kombet mund të jenë të ndërtuara mbi parimin etnik-kulturor apo politik-qytetar. Në të dyja rastet kemi të bëjmë me shtete nacionale, binacionale apo multinacionale të ndërtuara mbi njërin apo tjetrin parim teorik. Prandaj, edhe ideja e shtetit të pavarur të Kosovës e inicuar nga elita e djathtë në krye me Rugovën (por e degraduar nga elita e majtë nga 2007 e tutje), ka synuar të realizoj një shtet me koncepcion modern si realizim të idesë nacionale (shqiptare), me premisa demokratike si identifikim me perëndimin dhe djathtizmin. Prandaj, përfundimisht duhet kuptuar që konceptet e shteteve multietnike me gjenezë nga ideologjitë majtiste lindore, nuk janë koncepti i duhur për Kosovën, dhe mbi këto koncepte nuk mund të pretendohet ndërtimi i një shteti modern, demokratik e të gatshëm për integrime në strukturat evropiane e globale. Kosova, Shqipëria dhe shqiptarët në përgjithësi nuk mund të pretendojnë që do u ofrohen vlerave evropiane duke u “multietnifikuar” përmes totalitarizmave të llojit sovjetik, por ata mund t’i bashkohen Evropës së kombeve vetëm duke u konsoliduar nacionalisht dhe demokratikisht.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›