Sa seriozitet pas fjalës VIZE
Kanë kaluar shumë vite kur mësuese Aferdita (nuk është emri i vërtetë ky), për t’u operuar nga kanceri në gji, u nis me gomone një natë dimri drejt Italisë. Kishte çdo gjë që i duhej për një vizë: garancinë, llogarinë bankare, njerëzit e afërm të sistemuar me punë të mirë në Itali, mundësitë financiare, por burokracia euriopiane që përplaset ftohtë në sportelet e vizave në vende si i yni, vendosi ta konsideronte të pabesueshme vizitën e mësueses drejt Italisë dhe t’i refuzonte vizën. Mësuese Afërdita e bëri operacionin në gji dhe sot është shumë mirë, jeton e gëzon me nipërit e mbesat. Një tjetër mësuese, që nuk pati mundesinë ekonomike për t’u kuruar jashtë, sot nuk jeton. Vdiq nga kanceri në gji. Ela, (nuk është emri i vërtetë ky) një profesioniste shumë e mirë në Tiranë vuan gjithashtu nga kanceri në gji; është operuar jashtë dhe i duhet të bëjë kontrolle të herëpashershme derisa mjekët të sigurohen se çdo gjë është vënë në vijë. Eshtë e pajisur me një vizë afaristeje, sepse të marrësh vizë me motivacionin “kurim” është e vështirë, gati e pamundur. Ela, sa herë hyn e del nga vendi fqinj, duhet të japë llogari se pse udhëton, çfarë pune ka për të bërë dhe ajo është e detyruar të gënjejë: se shkon për të blerë materiale për zyrën, se duhet të takojë një profesionist të sektorit të saj, se ka një seminar me të ardhur nga e gjithë bota e të tjera si këto. Dhe kur një polic kufiri i BE dyshon dhe kërkon të verifikojë nëse vërtetë ka seminar për të bërë, nis tragjedia e vërtetë. Një grua me kancer në gji është njëmijë herë më e brishtë se një grua normale dhe presioni burokratik i bërë nga një punonjës tendencioz apo jo në humor të mirë i kushton shumë. “Mund të të mbaj këtu në doganë me ditë të tëra derisa të tregosh të vërtetën. Pse ke ardhur nga Shqipëria dhe pse gënjen se vjen për një seminar që s’ekziston!”. Megjithëse Ela nuk ka asnjë dëshirë t’i tregojë tragjedinë e saj një polici dogane, sëmundjen, të japë koordinatat e saj më private që ai të verifikojë edhe në internet që është një profesioniste serioze dhe jo një keqbërëse për shoqërinë, e bën këtë me lot në sy dhe kalon edhe këtë herë duke shpresuar që udhëtimin tjetër të takojë një polic më shpirtmirë dhe me pak kurioz.
Sot vazhdohet të luhet me cinizëm për çështjen e vizave të shqiptarëve: Do t’i marrin, nuk do t’i marrin, ndërkohë që edhe ata që i kanë, shpesh trajtohen si qytetarë të dorës së fundit nëpër pika kufiri komunitar. Lëvizja e lirë është një borxh shumë i madh që politikanët, administratorët e këtij vendi na kanë. Dhe duhet të mendohen mirë para se të flasin e të abuzojnë me fjalën VIZE, pas të cilës fshihen aq shumë shpresa, ëndrra, gëzime, por dhe tragjedi. Nuk ka asnjë arsye tjetër, veç besueshmërisë së vakët që ata kanë krijuar në dyert e Europës, që sot, për shembull serbët (pavarësisht luftës e kriminelëve të luftës) privilegjohen para shqiptarëve.