Plotësohen kriteret - heqja e vizave, brenda qershorit 2010
Ministri i Brendshëm i Italisë Roberto Maroni i ka përsëritur dje homologut Lulzim Basha, qëndrimin e aleatit të madh të Shqipërisë, por edhe të të gjithë Bashkimit Evropian, se administrata “Berisha” i kishte përmbushur kriteret dhe se pas një procedure teknike, qytetarët shqiptarë “do të lëvizin pa viza, brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2010-s”
“Qytetarët shqiptarë do të lëvizin pa viza, brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2010”.
Ky qëndrim u bë i ditur dje gjatë takimit me homologun e tij shqiptar, nga Ministri i Brendshëm i Italisë Roberto Maroni, i cili vizitoi Shqipërinë për një vizitë zyrtare me ftesë të Ministrit të Brendshëm Lulzim Basha. Ministri Basha duke falënderuar homologun Maroni dhe qeverinë italiane për mbështetjen e dhënë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe për liberalizimin e vizave, u shpreh i bindur se ekspertët e Komisionit Europian që do të mbërrijnë me misionin e parë në 14 Dhjetor do të konstatojnë se Shqipëria i ka përmbushur kushtet për të përfituar liberalizimin e vizave. Ministri Basha duke e cilësuar Italinë partnere strategjike dhe avokate zë lartë të integrimit të Shqipërisë në BE siguroi homologun Maroni se bashkëpunimi me strukturat italiane të zbatimit të ligjit do të vazhdojë të njohë maja edhe më të larta.
Ministri Maroni në kuadër të vizitës zyrtare në Tiranë, vizitoi Qendrën e Personalizimit të të dhënave të Dokumenteve të Identitetit, Qendrën MEMEX dhe TIMS në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Pikën e Kalimit Kufitar të Rinasit.
Lulzim Basha
Ministri Basha informoi Ministrin Maroni për rezultatet e shkëlqyera në luftën kundër trafiqeve të paligjshme, të drogës, të qenieve njerëzore, për rezultatet kundër kriminalitetit, goditjen e bandave kriminale dhe krerëve të tyre, çmontimin e rrjeteve kriminale të trafiqeve të paligjshme, rezultatet e ndjeshme të operacioneve të përbashkëta policore dhe ekzekutimin e fletë arresteve dhe fletë-vendimeve të gjykatave në të dy vendet.
Basha informoi në takim edhe për fazën e re të luftës kundër krimit të organizuar, miratimin e ligjit”Antimafia” të ligjit për konfiskimin e aseteve të krimit, qëllimi i të cilave është të vështirësojnë edhe më tej ambientin kriminal duke e bërë Shqipërinë një nga vendet më të sigurta në Ballkanin Perëndimor dhe duke siguruar një nga ambientet më armiqësore ndaj krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti.
Një vëmendje të veçantë, Ministri Basha i kushtoi informimit të Ministrit Maroni mbi masat e marra për plotësimin e kritereve të përcaktuara për liberalizimin e vizave me BE.
Në këtë aspekt Basha nënvizoi si rezultate të prekshme instalimin e sistemeve moderne për kontrollin e kufirit, instalimin e sistemit TIMS, komunikimin e këtyre sistemeve me qendrën operacionale në Tiranë, lidhja e këtyre sistemeve në kohë reale me INTERPOL-in, shkëmbimi i të dhënave në kohë reale mes policisë kufitare me atë italiane dhe të vendeve të tjera të rajonit dhe ndërlidhja brenda një jave në të gjithë vendin me sistemin MEMEX.
Basha informoi gjithashtu homologun italian se Shqipëria ka shpërndarë aktualisht 265 mijë pasaporta biometrike, që është numri më i madh i pasaportave biometrike për frymë krahasuar me vendet e rajonit në këtë hark kohor.
Roberto Maroni
Ministri i Brendshëm i Italisë Roberto Maroni vlerësoi rezultatet e arritura nga Shqipëria në luftën kundër kriminalitetit, trafiqeve dhe emigracionit të paligjshëm, e po kështu edhe mekanizmat legjislativë për të luftuar pasuritë e krimit të organizuar.
Duke e cilësuar Shqipërinë partner strategjik në fushën e sigurisë, Maroni shprehu garancinë e qeverisë italiane për të forcuar bashkëpunimin si në fushën e koordinimit dhe mekanizmave të përbashkët në luftën kundër kriminalitetit edhe për përmirësimin e burimeve njerëzore dhe të shkëmbimit të informacionit.
Ministri Maroni theksoi se duke njohur dhe vlerësuar përpjekjet dhe arritjet e mëdha të Shqipërisë, Italia mbështet integrimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe në veçanti liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë.
Ministri Maroni deklaroi se nuk vëren asnjë pengesë nga ana e Komisionit Europian për realizimin e liberalizimit të vizave brenda gjysmës së parë të vitit tjetër, pasi progresi i Shqipërisë është njohur tashmë nga ana e Komisionit.
“Në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave të Brendshëm të vendeve të Bashkimit Europian që do të mbahet në fund të këtij muaji, garantova Ministrin Basha për angazhimin tim të plotë për të vendosur mbi realizimin e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë brenda gjashtëmujorit të parë të vitit tjetër. Shqipëria i ka plotësuar kriteret e përcaktuara në lartësinë e duhur dhe në një kohë të shkurtër”, konfirmoi Maroni.
Integrimin e Shqipërisë në BE, Maroni i sheh të lidhur me integrimin e gjithë rajonit, si një fakt që do ti shërbejë edhe rritjes së sigurisë për gjithë vendet evropiane.
“Angazhimi dhe mbështetja e Italisë për integrimin e Shqipërisë në BE dhe për liberalizimin e vizave është një fakt natyral që në një kuadër më të gjerë duhet të sjellë integrimin e të gjithë rajonit. Jam i bindur se procesi i liberalizimit të vizave, por mbi të gjitha procesi i integrimit të Ballkanit në Bashkimin Europian duhet bërë sa më shpejt sepse ky rajon është pjesë e Europës, sepse integrimi rrit nivelin e sigurisë për të gjithë vendet europiane”, u shpreh midis të tjerave Ministri Maroni.
Thanë pas takimit
Lulzim Basha: Shqipëria ka prodhuar numrin më të madh të pasaportave biometrike për frymë
“Për sa i përket ecjes përpara për përmbushjen e kritereve të liberalizimit të vizave nga ana e Shqipërisë, e informova Ministrin Maroni mbi hapat që Shqipëria ka ndërmarrë, në veçanti në 4 muajt e fundit, duke prodhuar numrin më të madh të pasaportave biometrike për frymë krahasuar me të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Dëshiroj të përsëris dhe një herë se ministria e brendshme si pjesë e vullnetit të hekurt e qeverisë Berisha do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar thellimin e më tejshëm të bashkëpunimit me partnerin tonë strategjik Italinë”.
Roberto Maroni: Shqipëria, progres gjigant në 6 muajt e fundit, për kriteret e liberalizimit të vizave
“Gjatë vlerësimeve në mbledhjen e ministrave të brendshëm në Bruksel, Shqipëria u veçua për luftën e suksesshme kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve dhe për progresin gjigant që ka bërë në 6 muajt të fund sa i përket plotësimit të kritereve për liberalizimin e vizave. Në këtë mbledhje mora njëkohësisht edhe vlerësimin për reformat dhe vendimin e KE për përshpejtuar ardhjen e misioneve në Shqipëri duke filluar që nga data 14 dhjetor. Shqipëria sot qëndron të paktën në të njëjtin nivel me tre vendet që do të përfitojnë liberalizimin e vizave, duke filluar nga 19 dhjetori. Në disa aspekte është më e avancuar”.