E Diel, 1 Nëntor 2026

Kështjella e fundit e depresionit

Nuk është kështjella e Kadaresë, as e Kafkës, por kështjella e një sutaku që e ka zënë bataku edvinian. Kështjellat në Ballkan kanë funksionuar gjithmonë si ndërtime mbrojtëse dhe janë perceptuar pozitivisht nga njerëzia, por, edhe ka raste që këto kështjella uzurpohen nga një pasha pa kapistër morale, që i shtyp qytetarët e vet me taksa e keqtrajtime psiko-fizike nga më të ndryshmet. Edhe në Tiranë kemi një kala, që nuk është ajo historikja e Petrelës, por ajo distrofikja e Bashkisë së Tiranës. Ky megalopol i korrupsionit ndërtimor po gllabëron përditë hapësirat publike me qëllimin e dukshëm të mbjelljes së betonit me eko-mostrave. Fiks një eldorado për shoqatat e ndërtuesve. Padyshim Tirana është një vend i mrekullueshëm. Dhe ky nuk është një slogan, që vjen prej vetëqorrimit. Kohët e fundit dhuna e opozitës po e mbyt zhurmën mediatike dhe po e fsheh të vërtetën. Shumë e kanë kuptuar se mjerisht Tirana është një qytet i bukur, veçse pa pallatet, pa Tajvanet, pa pluhurat toksike dhe organike, pa kaosin e rrugëve dhe pa pastrimin e gjelbërimin e munguar të një Bashkie narkomane.
Mirëpo kryeqyteti ynë është telendisur në këtë stad e habitat të padurueshëm për njerëzit normalë nga një njeri që i ka manifestuar qysh herët predispozitat gjenetike për të qenë saraçini që u rrjep lëkurën qytetarëve apo bizneseve të vogël e të mesme me taksa vendore, me moslejimin e transporteve ndërqytetase, me licenca për taksitë e mikrobusët, me shantazhe të ndryshme apo me dhunën e policisë bashkiake. Ky (nën)njeriu na ka qëlluar bile edhe saraf i madh, pasi nuk shpenzon e as investon ndonjë lek, përpos se shton administratën e bashkisë, si një kontingjent elektoral, por edhe vandal e hormonal.
Arkitrava e perceptimit të organizatës “TI” vjen kryesisht nga perceptimi që kanë qytetarët për punët e administratës, që nuk është vetëm ajo qendrore, por edhe i decentralizuar, pra kemi të bëjmë me një network të korruptuar pushtetesh vendore, ku pjesën e luanit të fondeve në drejtim e bashkive dhe komunave e marrin socialistët. Faji është i decentralizuar. Kjo ka bërë që kurba e perceptimit të rritet aq sa leje ndërtimi lëshohen nga kështjella e fundit e korrupsionit në Shqipëri. Dezinfektimi do të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme lokale, ku saraçeni grabitqar - i veshur me petkun e PS - që bën kërdinë në hapësirat publike, do të zhbëhet. Në fakt, pushteti lokal i Bashkisë së Tiranës, është shndërruar në pushtet të kryebashkiakut, i cili nëpërmjet resurseve që i jep ky pushtet ka krijuar mundësinë për të joshur e blerë të gjithë spektrin politik, ekonomik e mediatik në vend. Si ka mundësi që çdo ditë të dhuruar nga perëndia, Saraxha i Bashkisë urdhëron nëpërmjet big-medieve teknefese, të cilat, me sa duket e kuptohet vetiu, i mban me buxhet nga paratë e taksapaguesve të Tiranës, e për këtë shkak edhe sulmojnë në mënyrë spekulative përditë çdo të bërë e të pabërë të Qeverisë duke kërkuar të krijojnë fantazmën e korrupsionit, që sa herë fryn erë, të perceptohet sikur ka diçka. Që ka diçka edhe mundet, po pse, të jetë korrupsion vallë? Qëllimi kryesor i kësaj politike-sarkofage,  që hap protestat me numërimin e akuzave sikur të ishte sozia e një prokurori ushtarak komunist, është delegjitimimi final i një aspirate evropiane.
Kasapi i shpresës së shqiptarëve për një jetë sa më të mirë, për një paqe sociale dhe një lëvizje të lirë në “komunitetin” e Bashkimit Evropian është ai që i fryn një radikalizmi protestash kinse për votën e lirë. Pak më lart vura në thonjëza sesi na shohin në Komunitetin Evropian, sepse kjo ka shumë rëndësi se çfarë mendojnë përfaqësuesit e këtij komuniteti për protestat e opozitës apatride. Kuptohet vetiu se janë kundër bojkotit. Mirëpo edhe pse raportet e Komunitetit Evropian dhe më gjerë hedhin poshtë çdo “kusht” a akuzë të propozuar nga opozita, gjithçka është në kuadër të rimarrjes së pushtetit me protesta. Situata nuk është për t’u neglizhuar, as kohë brenda nesh ka një forcë politike që kohët e fundit nuk e dëgjon faktorin ndërkombëtar - kjo është PS-ja - e cila po tregon një shurdhim kolosal, që po na bën dëm të gjithëve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›