E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Eagle Mobile” regjistron abonentin e 100 000-të

Një qytetar nga Korçca është abonenti i 100 mijtë i kompanisë më të re e telefonisë celulare në Shqipëri “Eagle Mobile”. Në një ceremoni të zhvilluar me këtë rast në zyrat qendrore të “Eagle Mobile” në Tiranë, Drejtori i Përgjithshëm Ali Taskin, priti abonentin e 100 mijtë dhe e falënderoi atë që ka zgjedhur Eagle Mobile. 

TIRANË - Kompania më e re e telefonisë celulare në Shqipëri “Eagle Mobile” ka shënuar abonentin e 100 000-të i cili është Lorenc Pepellashi nga qyteti i Korçës. E futur në tregun e telefonisë celulare më 12 Mars të vitit 2008, në një kohë rekord, “Eagle Mobile” ka arritur të jetë përditë e më shumë operatori i përzgjedhur për komunikimin e përditshëm të qytetarëve shqiptare. Qytetari Korçar është shënuar si abonenti i 100 mijtë i “Eagle Mobile” në datën 13 tetor, plot 8 muaj pas hyrjes në treg dhe 5 muaj pas promovimit të tarifës “proring” për bizneset, korporatat dhe institucionet dhe vetëm 1 muaj pas lançimit të tarifës rinore “riniring”.

Në një ceremoni të zhvilluar me këtë rast në zyrat qendrore të “Eagle Mobile” në Tiranë, Drejtori i Përgjithshëm Ali Taskin, priti abonentin e 100 mijtë dhe e falënderoi atë që ka zgjedhur Eagle Mobile. Gjatë ceremonisë, Taskin i ka dhuruar një telefon të teknologjisë së fundit “I Phone 3G” abonentit me fat, me të cilin mund të shijojë të gjithë shërbimet e reja dhe bashkëkohore që ofron tashmë “Eagle Mobile”.

“Ne e prisnim suksesin, por jo një interes kaq të madh nga qytetarët shqiptarë. Gjatë kësaj kohë të shkurtër prej 8 muajsh, ne kemi bërë ata që të tjerët e kanë bërë në 2-3 vjet. Me gjithë vështirësitë e mëdha të ngritjes së një kompanie dhe hyrjes në treg, “Eagle Mobile” arriti të ndryshonte tregun e telefonisë celulare duke shkaktuar një revolucion” tha Taskin në fjalën e tij për mediat.

Duke iu përgjigjur interesit të tyre, drejtuesi më i lartë i Eagle Mobile, shtoi se tarifa e biznesit dhe institucioneve “proring” është përballur me një interes të lartë për vetë ndërthurjen e çmimeve të arsyeshme dhe paketës që u përgjigjet nevojave të çdo biznesi dhe familjeve të tyre. Po ashtu, sipas tij ka pasur një interes të madh edhe për tarifën më te re, riniring, për të rinjtë dhe ata që e ndiejnë veten të tillë, interes që shpesh ka krijuar edhe radhë të gjata në dyqanet Eagle Mobile që janë çelur tashmë në të gjithë vendin.

“Ne japim fjalën se do të vazhdojmë me këto ritme për të sjellë më shumë komunikim, me shumë cilësi dhe më tepër çmime të arsyeshme për çdo individ të shoqërisë shqiptare” tha zoti Taskin.
Ai theksoi gjithashtu se “Eagle Mobile ka nisur tashmë të konkurrojë në cilësi dhe çmime, por kjo kompani nuk mund të konkurrojë në praktikën evropiane të “number portability”, pra mbartjes së numrit nga një kompani në një tjetër pa i ndryshuar asgjë atij”. Taskin tha se kjo është një e drejtë e konsumatorëve shqiptarë të marrin shërbim nga cilado kompani që dëshirojnë, duke mos e ndërruar numrin e tyre. Ai e cilësoi këtë një praktikë që zbatohet në të gjitha vendet evropiane dhe se duhet të hyjë tashmë edhe në Shqipëri.

Në muajin shtator, tarifa “riniring” mundësoi ndjekjen drejtpërdrejt të koncertit të Madonës në Mal të Zi për 1000 qytetarë shqiptarë.
Së fundi, “riniring” ka sjellë një tjetër mundësi për abonentët e kësaj tarife ku 67 persona do të përfitojnë nga 670 orë falas secili dhe 670 abonentë të tjerë nga 6700 SMS falas secili. Ata duhet të dërgojnë vetëm një SMS që kushton një lek në 15190, duke marrë pjesë në përzgjedhjen që do të zhvillohet më datën 31 Tetor.
“Duke paguar vetëm 100 lekë për kartën dhe rimbushur atë me 800 lekë për anëtarësimin në riniring, çdokush mund të përfitojë nga oferta fantastike dhe çmimet e arsyeshme të kësaj tarife rinore” tha drejtori i përgjithshëm i Eagle Mobile, Ali Taskin.
(a.s/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›