E Diel, 1 Nëntor 2026

Idrizaj, në janar kthehet te Liverpuli

Besian Idrizaj është shumë pranë rikthimit te Liverpuli në merkaton e janarit. Sulmuesi kosovar, i cili luan për kombëtaren U-21 të Austrisë, do t‘i japë fund aventurës në radhët e Kristal Palas, vetëm katër muaj pasi ishte transferuar aty në formë huazimi. Shkak është bërë paraqitja jo në nivelin e pretenduar të 20-vjeçarit, por edhe largimi i parakohshëm i trajnerit Piter Tejlor, i cili kishte këmbëngulur ta kishte në skuadër. Tekniku aktual i Kristal Palas, Neil Varnok, nuk beson në potencialin e Idrizajt dhe në fillim të vitit 2008, sapo të hapet merkato e dimrit, ai është i gatshëm t‘i hapë dritën jeshile, që shqiptari të kthehet në "Anfilld Roud". Forma e paraqitur nga sulmuesi nuk ka lënë mbresa dhe në shtatë ndeshje, ku është aktivizuar ai, nuk ka arritur të shënonte asnjë gol. Ndërkohë, trajnerit Varnok i kanë mjaftuar vetëm dy takime që të vendoste se Idrizaj nuk i nevojitej. Në katër muaj lojtari është aktivizuar vetëm tri herë si titullar dhe me formën e mirë të dy sulmuesve të formacionit bazë, Klinton Morrison e Xhejms Skovkroft shanset e tij për aktivizim do të qëndronin gjithsesi të limituara.

Edhe pse trajneri Rafa Benitez e ka afruar kosovarin te Liverpuli që në vitin 2005, Idrizajt nuk i është dhënë asnjëherë mundësia për t‘u aktivizuar me ekipin e parë. Përpara huazimit te Kristal Palas, lojtari ka milituar me Luton Taun (sërish i huazuar), ku në shtatë ndeshje ka realizuar 1 gol. Nëse në janar nuk do të gjejë një tjetër skuadër ku mund të luajë, ai do të qëndrojë të stërvitet me yje të kalibrit të Xherard e Torres, ndërkohë që aktivizimi duket sërish shumë i vështirë, pasi sulmi i "Reds" është i mbipopulluar me lojtarë të kalibrit botëror.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›