E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilion Lika, padi gjyqësore Dinamos për prishje imazhi

Ilion Lika padit klubin e Dinamos në Gjykatën e Tiranës. Padia e klasifikuar "shkaktim dëmtimi" është bërë për episodin e nëntë muajve më parë, ku drejtuesit e klubit dinamovit pezulluan portierin. Më saktësisht, më 2 mars 2007, menjëherë pas ndeshjes së humbur në Kupën e Shqipërisë me Besën, ku dinamovitët nuk arritën të kualifikohen në gjysmëfinalen e këtij aktiviteti. Akuza fillestare që klubi i bëri lojtarit ishte për shitje ndeshjesh, ndërkohë që më pas ajo është modifikuar dhe arsyeja për pezullimin ishte "mungesa e impenjimit". Në atë periudhë Lika kishte hedhur poshtë çdo zë që e lidhte me shitjet e ndeshjeve: "Presidenti më komunikoi vendimin për pezullim me afat të papërcaktuar dhe mendoj se kjo është e drejta e tij, ishin fjalët e tij pas vendimit. Megjithatë, dua t‘i siguroj të gjithë se në asnjë lloj mënyre nuk kam lidhje me shitje ndeshjesh, ose më konkretisht se kam shitur ndeshjen për të cilën flitet. Unë jam rritur te Dinamo, luaj që kur kam qenë fëmijë për këtë skuadër e më dhimbset ekipi dhe fanella". Ndërkohë që, pasi u bë pjesë e Elbasanit në fillim të këtij sezoni, portieri kishte deklaruar publikisht se do të kërkonte dëmshpërblim për prishje imazhi.

Çështja rreth padisë së ngritur gjatë paradites së djeshme, pas shortit i është caktuar gjyqtares Marjana Shegani. Vetë Lika ka pohuar faktin që i është drejtuar gjykatës. "Është e vërtetë që kam ngritur padi ndaj klubit Dinamo për prishje imazhi", tha 27-vjeçari. "Dëshiroj të vendos drejtësinë në vend, pas gjithë atyre që janë thënë. Për momentin nuk mund të deklaroj më shumë, pasi fillimisht do të njihem me aktakuzën nga avokati im". Për shkak të pezullimit nga drejtuesit e klubit kryeqytetas, Lika humbi edhe vendin në kombëtaren shqiptare, ku ishte portier i dytë pas Arjan Beqajt. Gjithsesi, ish-trajneri Bariç e riktheu në kombëtare për dy ndeshjet e fundit eliminatore në Euro 2008, me Bjellorusinë dhe Rumaninë. Kjo, edhe sepse në radhët e Elbasanit Lika ka gjetur formën më të mirë, duke u shndërruar në lojtar kyç të skuadrës së drejtuar nga Krenar Alimehmeti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›