E Shtunë, 31 Tetor 2026

Idrizajn e thërrasin në ushtri

Derisa Swansea City po shkëlqen në Championship, për Besian Idrizajn nuk vijnë lajme të mira. Sulmuesi kosovar, me pasaportë austriake nuk është lënduar, por nga Austria i ka arritur ftesa që ta kryejë shërbimin ushtarak prej 6 muajsh.

Futbollisti kosovar ka thënë për ueb-faqen zyrtare të klubit të tij, Swansea, se i është dashur të shkojë drejt Austrisë javën e kaluar për ta bërë një test mjekësor që dëshmon gatishmërinë për t’iu bashkuar shërbimit ushtarak.

“Të gjithë përderisa janë të shëndetshëm duhet ta përfundojnë shërbimin ushtarak në Austri. Është dashur që këtë ta bëja kur isha 17-vjeç, por nuk kam mundur ta kryeja shërbimin ushtarak për shkak të transferimit në Liverpool”, ka thënë Idrizaj.

Ai ka treguar se dy vëllezërit dhe babi i tij tashmë e kanë përfunduar shërbimin ushtarak, derisa disa nga miqtë e tij kanë qenë në shërbim ushtarak në disa vende, sikur Afganistani.

“Ata thonë se ushtria të mëson disiplinë dhe respekt. Ushtria të bën burrë. E di se më duhet ta kryeja një ditë këtë shërbim, por dua ta shtyj sa ma gjatë që mundem. Ndoshta do të mund të luaj jashtë vendit, deri në moshën 60-vjeçare”, ka thënë Idrizaj, duke bërë shaka.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›