E Shtunë, 31 Tetor 2026

Swansea e magjeps

Drejtuesit e skuadrës angleze, Swansea City, janë gëzuar tej mase, pasi kanë arritur ta transferojnë Shefki Kuqin, nga klubi gjerman TUS Koblenz në Liberty Stadium.

Këtë e tregon edhe fakti se sulmuesi kosovar është pritur si mbret pas arritjes në qytetin e Swansea Town. Edhe vetë Kuqi ka mbetur i habitur me pritjen që i është bërë nga skuadra e Championshipit.

“Këtu, më kanë pritur shumë mirë. Lojtarët, drejtuesit e klubit dhe trajneri më kanë pritur shumë mirë. E kam pasur një pritje të jashtëzakonshme e cila më ka çuditur edhe mua”, ka thënë Kuqi, për Express të martën.

Championship (liga e dytë angleze), nuk është e panjohur për Kuqin, i cili në të kaluarën ka veshur fanellën e Crystal Palaces, Ipswich Town, Stockport County dhe Sheffield Wednesday.

“Jam i përgatitur maksimalisht edhe pse nuk kam luajtur me Koblenz ndeshjet e fundit. Kam stërvitur mirë dhe besoj që do të kem sukses këtu. Sa isha në Ipswich kam qenë në formë të mirë dhe tash i kam ato ndjenja, që këtu do të kem sukses”, theksoi Kuqi, i cili me Swansean ka nënshkruar kontratë për një vit e gjysmë.

Pas 26 xhirove të kaluara në Championship, skuadra e Swansea City, zë pozitën e katër në tabele me 41 pikë të tubuara dhe është në rrugë të mirë që të rikthehet në elitën e futbollit anglez (Premierliga).

“Arsyeja pse kam ardhur në Swansea City, është pasi me këtë klub dua të ngjitem në Premierligë”, u shpreh ish-sulmuesi i Blacgburnit dhe Fulhamit.

I zhgënjyer me Koblenzin

Shefki Kuqi, verën e vitit 2009 ishte transferuar nga Crystal Palace te skuadra gjermane Tus Koblenz. Ai me klubin nga Bundesliga 2 pat nënshkruar kontratë dyvjeçare, mirëpo vetëm pas gjashtë muajve të kaluar aty, gjithçka mori fund.

“Te Koblenz kam shkuar për qëllime të mia. Por ato që m’i ka premtuar klubi nuk janë kanë qenë askund dhe për këtë jam zhgënjyer”, ka treguar Kuqi.

Megjithatë vushtrriasi nuk është pishman që kishte zgjedhur Koblenzin, për ta vazhduar karrierën. “Kjo ishte eksperiencë e mirë për karrierën time. Nuk jam pishman, por futbolli i Anglisë me atë të Gjermanisë është krejt tjetër”, u shpreh Kuqi, i cili ka zhvilluar 17 ndeshje në fanellën e Koblenzit, duke shënuar 7 gola.

Nuk mendon për Finlandë

Shefki Kuqi ka bërë të ditur se njëherë për njëherë as që mendon për përfaqësuesen e Finlandës. Sulmuesi shtatlartë dëshiron që të përqendrohet te klubi i ri, me të cilin dëshiron të arrijë suksese.

“Kam ardhur në një ekip që ka gjasa të mira te hyjë në Premierligë dhe kryesorja për mua është të koncentrohem këtu. Ndërsa për përfaqësuese ka kohë. Një herë është Kampionati Botëror dhe nuk jam duke menduar për ketë”, ka përfunduar Kuqi, i cili me Finlandën ka zhvilluar rreth 60 ndeshje, ndërsa ka realizuar tetë gola.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›