Futbolli është me Haitin

Një skuadër All-Star me yjet si Kaka e Zinedine Zidane, ka barazuar me rezultat 3-3 kundër ekipit që përbëhej me ish futbollistë dhe futbollistë aktualë të Benfica, në një ndeshje bamirësie në favor të njerëzve të prekur nga tërmeti shkatërrues në Haiti.
Në ndeshjen që u drejtua nga ish gjyqtari italian Pierluigi Collina, skuadra e Zidane, i cili është ambasador i dëshirës së mirë të Kombeve të Bashkuara, u përbë është nga ylli i Realit të Madridit, Leite Kaka, sulmuesi i Barcelonës, Thierry Henry dhe ish futbollistët e paharrueshëm, Pavel Nedved, Edgar Davids, Luis Figo e Rui Costa.
Yjet e vjetra dhe të reja janë përcjellë nga 65 mijë spektatorë, që e mbushën stadiumin Luz të Benficas. Përfitimet materiale nga kjo ndeshje, e organizuar nga ONU, do t’i dedikohen popullit të Haitit.
“Me ardhjen e tyre në stadium, njerëzit kanë bërë një gjë të madhe. Jam i lumtur që mund të bëjmë diçka për të ndihmuar”, ka thënë pas ndeshjes ish futbollisti i Juventus, Real Madrid dhe i Kombëtares franceze, Zidane.
“Është një iniciativë e mirë dhe me shkas domethënës, për këtë janë këtu gjithë këta futbollistë. Futbolli është me njerëzit e Haitit”, ka thënë trajneri i Bayern Munchen, Louis van Gaal, që e udhëhoqi ekipin All-Star.
Pas një minute heshtje për t’i kujtuar viktimat e tërmetit të 12 janarit, fillimi i ndeshjes është bërë nga ish futbollisti i madh i Benficas dhe i Kombëtares portugeze, sulmuesit Eusebio.
Kaka e ka sjell në avantazh ekipin All-Star, para se Nuno Gomes ta shënonte një dygolësh. Më pas, rezultatin e ka barazuar Robert Pires, pas asistimit të Zidane, derisa Eder Luis shënoi për rezultatin 3-2 për Benfican. Barazimin definitiv e shënoi Christophe Dugarry, 5 minuta para mbylljes së takimit.