E Shtunë, 31 Tetor 2026

Idrizi: Censusi është i garantuar, INSTAT në monitorim

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka deklaruar se vetëdeklarimi i lirë duhet të verifikohet me regjistrin kombëtar të Gjendjes Civile

Megjithëse i ka konsideruar të papërshtatshme pyetjet në formularin e censusit për përkatësinë etnike dhe fetare, Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet beson se amendamentet e saj të miratuara në parlament, janë garante të objektivitetit të këtij procesi. Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, duke paralajmëruar se do të mbajë nën monitorim INSTAT-in për zbatimin e ligjit, thekson edhe amendamentet, njëri prej të cilëve sanksionon detyrimin e shtetasve për të dhënë informacion në mënyrë të plotë, të saktë dhe të besueshme. “Këto amendamente janë i vetmi mjet që gjithë ne kemi në dorë për të ndalur abuzimin me regjistrimin e popullsisë. Në bazë të tyre, për çdokënd që do të deklarojë kombësi të rreme, INSTAT është i detyruar ta korrektojë vetëdeklarimin e lirë me të dhënat zyrtare që gjenden në regjistrin kombëtar të Gjendjes Civile”, - tha kreu i PDIU-së. Zoti Idrizi nuk ka fshehur edhe kënaqësinë që disa organizata, përfaqësuese të minoriteteve, kryesisht të atij grek, kanë deklaruar bojkotin e procesit.

“Ne mendojmë se janë tërhequr ata që do të abuzonin me këtë census dhe është tërhequr dhe konsulli grek me xhup garipi, i cili do të deklaronte se ky regjistrim do të ishte fillimi i betejës për Vorio-Epirin. Ne i garantojmë shqiptarët se PDIU do të monitorojë procesin nëpërmjet interpelancave, seancave të pyetjeve, që gjithçka të zhvillohet në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën. Shqipëria është dhe do të mbetet shtet unitar dhe jo një shtet multietnik”, - shtoi zoti Idrizi. “Nga mënyra sesi po zhvillohet procesi në rrethe të caktuara, nga përfshirja e faktorëve të ndryshëm ndërkombëtarë, në veçanti Greqia, ne jemi të mendimit se faktorët rajonalë, sidomos shteti helen, po luajnë me disa skenarë.

Nëse të dhënat e procesit do rezultojnë nën pritshmërinë e tyre, ata do të thonë se procesi është i manipuluar, nëse do të ketë të dhëna brenda pritshmërisë së tyre, atëherë ata do të pranojnë procesin. Këtë e tregojnë dhe qëndrimet e ndryshme të zërave brenda minoritetit, apo dhe angazhimi aktiv dhe i kundërligjshëm i konsullit grek në Korçë. Në lidhje me qëndrimet e këtij diplomati, të cilin Greqia e mbajti në detyrë me gjithë kundërshtimet e shtetit shqiptar pikërisht për të manipuluar procesin e censusit, ne bëjmë thirrje dhe njëherë që ai të nxirret sa më shpejt jashtë vendit si person i padëshiruar. Ne u kërkojmë regjistruesve të bëjnë kujdes me regjistrimin e jorezidentëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›