E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten kërkesat për azil nga shqiptarët

 Nëse vitin e shkuar, ky numër ishte rreth 25 aplikime në muaj, për gjatë vitit 2011, ky numër ka shkuar në 50, pra duke e dyfishuar.

Në gusht numërohen 50 kërkesa dhe në shtator shënohen 84 të tilla. Nëse vazhdon me këto ritme, një rritje e tillë rrezikon lëvizjen e lirë, sipas mekanizmit monitorues, i cili përmban edhe masa ndëshkuese në rast abuzimi. 

Zyra e komisioneres Malmstrom ka rikujtuar së fundmi për ndryshimet që i janë bërë rregullores së vizave: “Në 24 Maj 2011, Komisioni propozoi një klauzolë sigurie që do të lejojë, në kushte të posaçme të jashtëzakonshme, rivendosjen e përkohshme të vizave për qytetarët e vendeve të treta që përfitojnë nga heqja e vizave me BE-në. Një mekanizëm i tillë i jep BE-së një mjet, për t'u përdorur vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, për mënjanimin e çdo pasoje të mundshme serioze negative nga liberalizimi i vizave, dhe në veçanti mbërritjes në Bashkimin Evropian të një numri të madh të emigrantëve të parregullt ose azil-kërkuesish, pretendimet e të cilëve nuk janë të bazuara”, ka thënë Zyra e KE, sipas Top-Channel.

Nga dita e ngritjes së alarmit deri në marrjen e një vendimi për rikthimin e përkohshëm të vizave, ka një mori raportesh, analizash e procedurash të komplikuara që do të kërkonin disa muaj.

Problemi që lind është mungesa e mjeteve për ta parandaluar një fenomen të tillë, siç ka ndodhur dhe në rastin e Serbisë e Maqedonisë. Por, ndërsa shifrat e këtyre dy vendeve janë më të larta në numër kërkesash se ato të shtetasve shqiptarë, përqindja e tyre rezulton në rënie, ndërsa për Shqipërinë në rritje që prej gushtit. Kjo reflektohet në listën e 10 vendeve me më shumë kërkesa për azil në Belgjikë, gjatë muajit shtator, ku nuk figuron më Maqedonia por Shqipëria, e renditur pas Kosovës, Serbisë dhe Bosnjës. /Start/

                                                                                             2011-10-08 08:16
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›