Rrjeti i kokainës nga Holanda, pranga 9 shqiptarëve në Itali
Policia italiane sekuestron 10 kg kokainë, 800 gram marijuanë dhe 200 mijë euro cash. Hetime për bashkëpunëtorët
Nëntë qytetarë shqiptarë u prangosën në Firence të Italisë, gjatë një operacioni të policisë kundër grupeve që trafikonin lëndë narkotike. Shqiptarët e prangosur u përkisnin tri organizatave të ndryshme kriminale dhe sillnin kokainë nga Holanda në drejtim të Firences dhe Bolonjës. Arrestimet u bënë në qytetet e Genovas, Firenses dhe Copparos, ku si rrjedhojë, 11 persona të tjerë të dyshuar u morën në hetim në gjendje të lirë. Sipas policisë, organizatat kishin krijuar një rrjet për shpërndarjen e drogës, mes të cilëve përfshiheshin italianë dhe të huaj, të cilët i kishin klientë të përhershëm. Mes këtyre klientëve ishin të përfshirë një dentist dhe një biznesmen nga Fiorentina. Gjatë kapjes së tyre u bë i mundur sekuestrimi i 10 kilogramëve kokainë, 800 gramëve marijuanë dhe 326 gramëve hashash. Ndërkaq, krahas lëndës narkotike, të arrestuarve iu gjetën edhe 200 mijë euro cash, si dhe u sekuestruan 4 autovetura. Mediat italiane kanë raportuar mbi operacionin antidrogë, por nuk kanë bërë të ditur emrat e shqiptarëve të arrestuar. Megjithatë, nga hetimet e deritanishme rezulton se ata kishin role drejtuese në trafikun e kokainës nga Holanda në Itali, ku më pas ndahej në doza dhe shitej në tregun e pakicës. Mediat italiane pohojnë se hetimet mbi këtë rrjet të trafikut të kokainës nuk kanë përfunduar ende. H.Hasani
10 Kg kokainë u sekuestruan nga policia italiane, gjatë operacionit që çoi në pranga 9 shqiptarët dhe anëtarët e tjerë të rrjetit.
200 Mijë euro cash u sekuestruan gjatë operacionit. Këto para dyshohet se ishin fituar gjatë shitjes së kokainës në tregun e pakicës.