E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pretenca për “Bandën e Durrësit”, 100 policë e qen anti-eksploziv në gjykatë

SHKRUAN: Leonard Bakillari 07-10-2011 14:11

Tiranë Mbi 100 forca policie të Drejtorisë së Burgjeve dhe Policisë së Shtetit kanë blinduar dje Gjykatën e Krimeve të Rënda, teksa ishte parashikuar dhënia e pretencës për 16 të pandehurit e “Bandës së Durrësit”. Si brenda, ashtu edhe jashtë gjykatës, një numër i madh punonjësish policie kanë qenë në gatishmëri për çdo situatë të mundshme pas dhënies së pretencës, e cila u shty për ditën e hënë. Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë, efektivë të BRISK-ut dhe punonjës të policisë së burgjeve kanë qenë prezent në çdo cep të gjykatës, me qëllim shmangien e çdo situate të mundshme në rast të dhënies së pretencës ndaj të pandehurve. I pranishëm në ambientet e jashtme të gjykatës ka qenë edhe drejtori i paraburgimit 313 në Tiranë, ku qëndrojnë shumica e anëtarëve të “Bandës së Durrësit”. Puna e policëve të vendosur me shërbim pranë Krimeve të Rënda ka nisur herët në mëngjes, me largimin në ambientet përreth gjykatës të automjeteve të parkuara aty, ndërsa janë kryer kontrolle me qen anti-eksploziv në makinat e parkuara brenda oborrit të gjykatës. Jashtë vëmendjes së masave të përforcuara të sigurisë nuk ka mbetur as salla e gjyqit, e cila para nisjes së procesit i është nënshtruar një kontrolli të imtësishëm. Më pas, në sallën e gjyqit kanë hyrë të pandehurit e “Bandës së Durrësit” si dhe i penduari i drejtësisë, Adriatik Coli, i cili ishte i maskuar dhe i veshur me jelek antiplumb. Masat e sigurisë në ambientet brenda dhe jashtë gjykatës kanë vijuar derisa ka përfunduar seanca e shkurtër gjyqësore, pasi prokurori kërkoi edhe dy ditë kohë për dhënien e pretencës. Sipas burimeve të rezervuara mësohet se supermasat e sigurisë kanë të bëjnë me rëndësinë e procesit dhe për më tepër praninë e të penduarit të drejtësisë, Adriatik Coli, i cili në një pjesë të mirë të rasteve është shoqëruar në gjykatë me autoblindë dhe i veshur me jelek antiplumb. I shoqëruar nga një numër i madh policësh të maskuar dhe të armatosur, Coli ka qëndruar në cepin e sallës së gjyqit për disa minuta, duke iu shmangur kështu përballjes me të pandehurit e tjerë që ndodheshin në kafazin e hekurt. Por gjykata miratoi kërkesën e prokurorit për të shtyrë dhënien e pretencës nga ana e tij, pasi i nevojitej më tepër kohë. Prokurori i çështjes, Anton Martini i kërkoi trupit gjykues edhe dy ditë kohë për hartimin e pretencës për 15 të akuzuarit si pjesëtarë të “Bandës së Durrësit”. Trupi gjykues pranoi kërkesën e prokurorit, duke deklaruar se shtyrja e pretencës bëhet për shkak të kompleksitetit që ka kjo çështje. Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të procesit të nisur që prej vitit 2007, përfaqësuesi i akuzës kërkoi në gjykatë plotësimin e akuzave ndaj të pandehurve. Duke qenë se akuzat e ngritura ndaj tyre i referoheshin Kodit Penal të vitit 2005, prokurori plotësoi akuzat me kuadrin e ri ligjor. Sipas ndryshimeve të fundit, akuzat ndaj të pandehurve u referohen dispozitave të Kodit Penal, të ndryshuar në vitin 2007.

Akuzat për bandën, sipas Kodit të ri

Nga akuza e “vrasjes me paramendim” për një rast, me ndryshimet e reja të Kodit, akuza bëhet “vrasje me dashje”. I njëjti argument u përdor edhe për të akuzuarit e tjerë. Po ashtu, prokuroria pushoi akuzën e “tentativës së vrasjes” që rëndonte mbi të penduarin Adriatik Coli, i cili është i penduar në këtë proces. Të pandehurit e “Bandës së Durrësit”, sipas prokurorisë akuzohen për një sërë vrasjesh dhe ngjarje të tjera të rënda të ndodhura në qytetin bregdetar. Këto akuza, sipas prokurorisë janë kryer në kuadër të organizatës kriminale, e cila pas vitit 2005, me vrasjen e Klodian Saliut kishte filluar të funksiononte në dy fraksione të ndryshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›