E Shtunë, 31 Tetor 2026

Idrizi: Censusi, të flasim gjuhën e bashkimit

20/10/2011  PDIU shpjegon para studentëve iniciativën për regjistrimin e popullsisë

“Do të propozojmë ligj që të jetë në përputhje me Kushtetutën

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet pritet t’i propozojë Kuvendit amendamente që bëjnë të mundur që ligji për regjistrimin e popullisë të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën. Kreu i saj, Shpërtim Idrizi, mbajti një leksion për të drejtën e deklarimit mbi kombësinë dhe etninë para studentëve të universitetit “Epoka”, duke marrë shkak nga procesi i censusit dhe problemet e hasura që nga nisja e tij. “Veprimi ynë i parë do të ishin amendimet në ligj, që e kthejnë çështjen e regjistrimit atje ku duhet të jetë: te zyra e gjendjes civile. Prej asaj zyre çdo disa vjet mund të bëhen azhurnime për të përcaktuar numrin e atyre që u përkasin pakicave”, - tha Idrizi. Ai sqaroi se PDIU-në nuk e shqetëson numri i shtetasve me kombësi joshqiptare, por manipulimi i tyre, në mënyrë që të krijohen artificialisht minoritete dhe kombit shqiptar, sot më i fortë sesa dje, t’i hapet prej fqinjëve luftë për minoritetet. “Ne presim probleme të mëdha me deklarimin e përkatësisë fetare, gjithashtu. Ky proces duhej të ishte kushtetues jo vetëm për sa i takon përkatësisë etnike, por dhe asaj fetare. Ky regjistrim mund të ndryshojë të dhënat ekzistuese zyrtare, dhe kjo do të krijojë probleme në cenimin e ekuilibrave fetarë në vend”, - shprehu ai shqetësimin e tij. Sipas tij, edhe ky regjistrim, ashtu si ai për kombësinë, ka brenda farën e ndarjes, të përçarjes, të rrezikimit të qenies sonë kombëtare. “Të bësh sot regjistrim fetar, që eventualisht mund të ndryshojë të dhënat për shkak të mobilizimeve fetare të frymëzuara nga jashtë, t’i frysh egoizmit fetar, është dritëshkurtër”, - nënvizoi më tej ai në fjalën e tij. Por pavarësisht këtyre, ai tha se censusi nuk duhet t’i ndajë shqiptarët. “Censusi i popullsisë nuk mund të na ndajë në shqiptarë, grekë, vlleh e malazezë. Nuk mund të na ndajë në myslimanë, ortodoksë, katolikë, bektashi apo bahai. Ne nuk mund të ndahemi në gegë e toskë. Sot rikujtoj thënien e një ambasadori të një shteti mik, i cili kërkoi nga shqiptarët të flasin gjuhën e bashkimit dhe sot të gjithë duhet të flasim atë gjuhë. Patriotizmi ynë nuk duhet të matet me fjalë, por me vepra”, - tha kreu i PDIU-së. Duke iu referuar amendamenteve të partisë së tij, Idrizi tha se ato mundësojnë që procesi i censusit ta bëjë vetëdeklarimin e përkatësisë etnike sa më objektiv, sa më të qartë dhe më të besueshëm.

Amendamentet

“Ne duam të shpjegojmë se amendamentet tona kanë qenë katalizator i shumë zhvillimeve në lidhje me regjistrimin dhe se ato kanë përcaktuar këto zhvillime. Ato nuk janë improvizime, por pjesë e njëlloj doktrine që e ka themelin tek objektivizmi i procesit të deklarimit të përkatësisë etnike dhe fetare në përputhje me kushtetutën. Pas thirrjes së këtyre shoqatave apo partive nuk duhet të sillemi me triumfalizëm, por duhet thënë se u zvogëluan shumë mundësitë që të krijohen minoritete të rreme.”

Hetim shkeljeve

“Lajmi se disa qytetarë të Korçës kanë qenë të detyruar të paraqesin fotokopje të formularit të regjistrimit në konsullatë është tregues i qartë i dhunimit të ligjit të censusit. Ne i kërkojmë policisë dhe organeve kompetente të hetojnë për këtë shkelje dhe u tërheqim vëmendjen regjistruesve se nuk duhet ta lejojnë në asnjë mënyrë këtë shkelje të ligjit. Në fund të fundit, ne nuk kemi lëvizur nga pozicioni ynë se pyetësori i censusit nuk duhej të përmbante pyetjet për përkatësinë etnike dhe fetare.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›