Idrizi: Do të mbetem deputet i PS-së
Deputeti socialist, Shpëtim Idrizi, mohon kalimin e tij në Partinë për Drejtësi dhe Integrim
"Nuk kam nevojë të bashkohem me Partinë Drejtësi dhe Integrim për të mbrojtur çështjen çame"
Mazhoranca dështon në përpjekjen e saj për të "blerë" deputetë majtas, nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Tentativa e vazhdueshme e aleates së re të demokratëve, Partisë për Drejtësi dhe Integrim, për të përfshirë në gjirin e saj dhe indirekt edhe në koalicionin e djathtë, deputetin socialistë me origjinë çame, Shpëtim Idrizi, ka rezultuar e pasuksesshme. Ndërsa kreu i PDI-së, Tahir Muhedini, nuk ka reshtur së foluri ditët e fundit për një kalim të pritshëm të Idrizit në partinë që përfaqëson interesat e komunitetit çam, ka qenë pikërisht ky i fundit ai që ka mohuar një gjë të tillë. Në një reagim mediatik gjatë ditës së djeshme, deputeti Shpëtim Idrizi ka deklaruar besnikëri ndaj partisë që e zgjodhi për herë të dytë si deputet, pra Partisë Socialiste, duke hedhur poshtë të gjitha deklaratat e bëra nga Muhedini, për arritjen e një marrëveshjeje për kalimin e tij në koalicionin e djathtë.
Deputeti Idrizi ka mohuar aludimet për bashkim me PDI-në në Parlament, duke theksuar se mbrojtja e çështjes çame nuk mund të bëhet thjesht duke qenë në koalicionin qeverisës, por edhe në opozitë. "Nuk kam nevojë të bashkohem me PDI-në për të mbrojtur çështjen çame",- ka theksuar Idrizi, duke shtuar se këtë çështje do ta mbrojë edhe nga pozicioni që ka aktualisht si deputeti i Partisë Socialiste.
Me këtë Idrizi ka lënë të kuptohet se jo vetëm që nuk do të refuzonte, por do të mbështeste fuqimisht çdo nismë parlamentare që do të ishte në favor të çështjes çame. Një prej këtyre nismave pritet të jetë edhe ajo që ka shpallur së fundmi PDI-ja për propozimin në Kuvend të miratimit të një rezolute që do t'i kërkonte qeverisë dhe gjithë shtetit shqiptar të angazhohet seriozisht në sigurimin e të drejtave të popullsisë çame, e cila gjatë gjysmës së parë të shekullit të 20 u persekutua dhe u shpërngul dhunshëm nga vendbanimet e saj në territoret që sot gjenden brenda kufirit shtetëror grek.
Deputeti Shpëtim Idrizi ka qenë një zërat e paktë në legjislaturën e shkuar që kanë mbrojtur kauzën çame në Parlament, duke kërkuar në vazhdimësi nga qeveria shqiptare që të kërkojë prej qeverisë greke plotësimin e kërkesave dhe të drejtave të kësaj popullsie. PDI-ja pretendonte gjatë deklaratave të ditëve të fundit që të merrte Idrizin në grupin e saj parlamentar, në mënyrë që të rriste kërkesat e saj për pjesëmarrje në kabinetin e ri qeveritar.