Dy të rinjtë në burg, u kapën me 25 kg hashash
TIRANE – Togat e zeza të kryeqytetit vendosën dje të linin në qeli deri në përfundim të hetimeve, dy të rinjtë nga fshati Shëngjergj i Tiranës, të arrestuar mbrëmjen e së enjtes të javës së kaluar me 25 kilogramë hashash. Burime nga procesi që u zhvillua me dyer të mbyllura pohojnë se 26- vjeçari Denis Duka, e pranoi fajësinë para gjyqtares së gatshme duke pohuar se e kishte marrë lëndën narkotike te një person i panjohur dhe do e transportonte për në Tiranë ku do ia dorëzonte një kosovari. Shpërblimi i tij për këtë punë do të ishte 500 euro,që do ia jepte në dorë, personi që do i merrte narkotikun. Sipas tij, ndërhyrja e policisë kishte bërë që ai të mos e dërgonte narkotikun në destinacion, pasi ishte vënë në pranga në fshatin Linzë, pak kilometra para se të mbërrinte në kryeqytet. Kurse bashkëfshatari i tij, Fatjon Balla,27 vjeç pohoi në gjyq se ishte i pafajshëm dhe se akuzohej për një vepër penale që nuk e kishte kryer. fa.ma.